
Sulmet ajrore dhe artileria izraelite kanë goditur Beit Lahiya, qytetin e Gazës dhe Khan Younis, ndërsa OKB e cilëson armëpushimin si të brishtë dhe të shkelur në mënyrë të përsëritur.
Situata në Rripin e Gazës ka njohur një tjetër përshkallëzim dhune. Forcat izraelite kanë kryer sulme ajrore dhe artilerie në disa zona të enklavës, përfshirë Beit Lahiya-n në veri, qytetin e Gazës dhe Khan Younis në jug, pavarësisht se armëpushimi i shpallur më 10 tetor vazhdon formalisht të jetë në fuqi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 245 palestinezë janë vrarë dhe 627 janë plagosur që nga momenti i shpalljes së armëpushimit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, e ka cilësuar situatën si të brishtë dhe të shkelur vazhdimisht. Ai ka bërë apel që armëpushimi të respektohet dhe të shërbejë si bazë për rifillimin e përpjekjeve për paqe.
Në jug të Libanit, ushtria izraelite njoftoi se ka goditur një depo armësh dhe një strukturë nëntokësore të përdorur nga Hezbollah, duke rritur rrezikun e hapjes së një fronti të ri në konflikt. Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë rihapur pikën kufitare të Zikim-it, që është rruga kryesore për hyrjen e ndihmave humanitare në pjesën veriore të shkatërruar të Gazës.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i viktimave palestineze ka arritur në 69,185 që nga tetori i vitit 2023, ndërsa 170,698 persona janë plagosur. Në anën tjetër, 1,139 izraelitë u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, dhe rreth 200 persona mbeten peng.
Burime lokale raportojnë se trupat izraelite kanë zhvilluar edhe operacione gjatë natës në Bregun Perëndimor, në qytetet Tubas, Bal’a, Anabta dhe Qabatiya, ku janë plagosur një i ri dhe një fëmijë. Po ashtu, ekipet e mbrojtjes civile palestineze kanë zbuluar një varr masiv me 51 trupa në oborrin e klinikës Sheikh Radwan në Gaza City.
Ndërkohë, në SHBA, Presidenti Donald Tramp ka bërë thirrje që Presidenti i Izraelit të falë Benjamin Netanyahun, duke e cilësuar procesin gjyqësor për korrupsion ndaj tij si politik dhe të padrejtë.
Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar kërkon me ngulm që palët të respektojnë armëpushimin dhe të ndalojnë ciklin e dhunës që po shkatërron civilët palestinezë.
