
OKB paralajmëron se zgjerimi i vendbanimeve rrezikon krijimin e një shteti palestinez sovran
Kabineti i sigurisë i Izraeli ka miratuar krijimin e 19 vendbanimeve të reja hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar, një vendim që ka ngjallur reagime të forta ndërkombëtare. Lajmi u bë i ditur nga ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i cili e paraqiti këtë hap si një mënyrë për të penguar krijimin e një shteti palestinez.
Sipas Smotrich, dy nga këto vendbanime ishin evakuuar më herët gjatë planit të shkëputjes së vitit 2005, ndërsa të tjerat përfaqësojnë zgjerim të ri territorial. Ai deklaroi se vendimi synon forcimin e pranisë izraelite në territorin që konsiderohet historikisht pjesë e trashëgimisë hebraike.
Me këtë vendim të fundit, numri total i vendbanimeve të miratuara gjatë tre viteve të fundit ka arritur në 69, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2022. Sipas të dhënave të publikuara, gjatë mandatit të qeverisë aktuale numri i vendbanimeve është rritur nga 141 në 210.
Kombet e Bashkuara kanë reaguar ashpër ndaj këtij zhvillimi, duke e cilësuar zgjerimin e vendbanimeve si të paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se këto veprime nxisin tensione, kufizojnë aksesin e palestinezëve në tokat e tyre dhe rrezikojnë seriozisht perspektivën e një shteti palestinez të pavarur dhe sovran.
Vendimi i kabinetit izraelit vjen në një moment delikat diplomatik, teksa po zhvillohen diskutime ndërkombëtare për një plan paqeje në Gaza dhe për përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. Zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë ndjeshëm në marrëdhëniet rajonale dhe në përpjekjet për stabilitet afatgjatë në Lindjen e Mesme.
