

Liderët izraelitë janë bashkuar në qëndrimin e tyre kundër vendeve që kanë vendosur të njohin shtetin palestinez, duke paralajmëruar masa të ashpra në kundërpërgjigje. Kryeministri Benyamin Netanyahou theksoi se do të koordinojë hapat me presidentin amerikan Donald Trump, i cili po shqyrton një plan alternativ për Gazën.
Një numër vendesh, mes tyre Mbretëria e Bashkuar, Australia, Kanadaja dhe Portugalia, kanë bërë publike njohjen e Palestinës, ndërsa Franca pritej të bënte të njëjtën gjë në një seancë të posaçme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Këto vendime kanë nxitur reagime të forta nga autoritetet izraelite, të cilat tashmë po hartojnë masat e kundërpërgjigjes.
“Nuk do të ketë kurrë një shtet palestinez,” -deklaroi Netanyahou në një fjalim solem, duke përsëritur se një shtet i tillë nuk do të ngrihet në perëndim të lumit Jordan. Edhe zëra të tjerë të opozitës, si ish-ministri i mbrojtjes Yoav Gallant, mbështetën të njëjtin qëndrim.
Në sfond, është rikthyer në skenë edhe emri i ish-kryeministrit britanik Tony Blair, i cili mësohet të jetë duke promovuar një plan të ri paqeje, të mbështetur nga Uashingtoni.