
Një vit pas armëpushimit me Hezbollahun, Izraeli vazhdon sulmet ajrore në Liban dhe tashmë po ndjek të njëjtin model në Gaza, duke e kthyer rajonin në një zonë të përhershme tensioni.
Megjithë armëpushimin e arritur në Gaza më 10 tetor, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme të përditshme, që kanë shkaktuar mbi 230 të vrarë dhe qindra të plagosur palestinezë. Analistët paralajmërojnë se kjo tregon një strategji të re: “libanizimin” e Gazës, pra zyrtarisht fundi i luftës, por në praktikë ruajtja e një gjendjeje të përhershme dhune dhe ndërhyrjesh ushtarake.
Sipas studiuesit të sigurisë ndërkombëtare në King’s College London, Rob Geist Pinfold, Izraeli nuk kërkon më zgjidhje përfundimtare të konfliktit, por po normalizon gjendjen e luftës së pafund. “Ata nuk duan paqe, sepse lufta është bërë norma e re”, shprehet ai.
Shembulli më i qartë është Libani, ku pas armëpushimit të nënshkruar me Hezbollahun në nëntor 2024, Izraeli ka vazhduar të bombardojë pozicione të ndryshme në jug të vendit pothuajse çdo ditë, shpesh pa reagim ndërkombëtar. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se ushtria do të veprojë “sa herë që ta gjykojë të nevojshme”, nëse qeveria libaneze nuk arrin të çarmatosë Hezbollahun.
Kjo politikë po zbatohet tani edhe në Gaza. Sipas analistit palestinez Mustafa Barghouti, që foli për “Arab Center” në Washington, Izraeli po përpiqet të krijojë një realitet të ri në Rripin e Gazës: as luftë e hapur, as paqe e vërtetë, por sulme të vazhdueshme që paralizojnë çdo përpjekje për rindërtim.
“Netanyahu po kërkon një situatë ku mund të godasë kur të dojë, pa u mbajtur përgjegjës, dhe çdo reagim nga Hamas të justifikojë një tjetër ofensivë”, thekson Barghouti.
Në këtë kontekst, Gaza rrezikon të shndërrohet në një “zonë gri” të përhershme, ku bombardimet periodike dhe prania ushtarake izraelite pengojnë normalitetin dhe rindërtimin. “Ky status quo është më i durueshëm për Hamasin sesa për Izraelin, por është tragjik për popullin e Gazës”, përfundon Pinfold.
