
Këshilli i Sigurimit voton pro planit amerikan; Izraeli kërkon kthimin e trupave të pengjeve dhe nisjen e çmilitarizimit të Gazës
Izraeli ka reaguar menjëherë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp për Gazën. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e përshëndeti vendimin, duke vlerësuar rolin e SHBA si udhëheqëse në rikthimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Sipas deklaratës së publikuar në platformën X, Izraeli pret që Hamas të dorëzojë pa vonesë trupat e pengjeve të vrarë, siç parashikohet në marrëveshjen e paqes. Po ashtu, Izraeli theksoi se në bashkëpunim me SHBA dhe vendet e tjera që kanë nënshkruar planin, do të nisë procesi i çarmatimit dhe çmilitarizimit të Gazës, si dhe fundi i sundimit të Hamasit në territor.
Rezoluta u aprovua me 13 vota pro, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan. Pavarësisht kundërshtimeve fillestare, Moska nuk përdori veton pas disa ndryshimeve në tekst. Plani amerikan përfshin një paketë 20-pikëshe për armëpushimin, krijimin e një “Bordi të Paqes” të drejtuar nga Tramp dhe vendosjen e një force shumëkombëshe stabilizimi në Gaza deri në fund të vitit 2027.
Plani parashikon çmilitarizimin e plotë të Gazës, mbrojtjen e kufijve, shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe krijimin e kushteve për një horizont politik mes Izraelit dhe Palestinës. Në tekst përmendet për herë të parë mundësia e një rruge drejt vetëvendosjes palestineze, pas reformave në Autoritetin Palestinez dhe rindërtimit të Gazës.
Mbështetja e vendeve arabe dhe myslimane ishte vendimtare për kalimin e rezolutës. Katar, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Indonezia, Pakistani dhe Turqia iu bashkuan thirrjes për miratimin e shpejtë, ndërsa disa prej tyre po shqyrtojnë dërgimin e trupave në misionin e stabilizimit.
Ndërkohë, Netanyahu ka kundërshtuar prej kohësh çdo lëvizje drejt krijimit të një shteti palestinez. Sidoqoftë, teksti i miratuar nga OKB e vendos këtë mundësi si një etapë të mundshme në të ardhmen.
Presidenti Tramp e quajti votimin një moment historik dhe një nga miratimet më të rëndësishme në historinë e OKB. Ai tha se Bordi i Paqes do të prezantojë së shpejti emrat e anëtarëve dhe hapat e tjerë të fazës së parë.
Sipas rezolutës, ushtria izraelite do të tërhiqet gradualisht nga Gaza, në varësi të standardeve të përcaktuara për stabilitetin dhe çmilitarizimin. Forca shumëkombëshe do të ketë mandat të plotë për të përdorur mjete ushtarake, nëse nevojitet, për të garantuar rendin dhe për të çmontuar grupet e armatosura.
Plani shënon një moment kyç në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit, e cila ka shkaktuar mbi 69 mijë viktima palestineze dhe ka lënë Gazën në gjendje të rëndë humanitare.
