

Të paktën 36 palestinezë kanë mbetur të vrarë të martën, nga bombardimet nga ajri dhe toka në Rripin e Gazës, ndërsa liderët botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB në Nju Jork, kërkonin fundin e luftës dyvjeçare. Goditjet kanë rrafshuar ndërtesa banimi, ndërkohë që ushtria izraelite vijon planin për të marrë qytetin më të madh të enklavës.
Pamjet satelitore tregojnë se forcat izraelite kanë rrethuar qytetin e Gazës nga disa drejtime, ndërsa tanket janë futur në lagjen Nassr, vetëm një kilometër larg spitalit al-Shifa. Një komision i OKB e ka cilësuar këtë model shkatërrimi si gjenocid.
Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut paralajmëroi se veprimet ushtarake po mbjellin terror mes popullsisë dhe po detyrojnë me dhjetëra mijëra njerëz të largohen. Presidenti amerikan Donald Trump, duke folur në OKB, tha se lufta në Gaza duhet të ndalet menjëherë, por e quajti njohjen e shtetit palestinez nga disa vende shpërblim për Hamasin. Ai zhvilloi takim me liderë nga Lindja e Mesme dhe Azia.
Sulmet izraelite kanë goditur civilë në shumë zona. Një burrë u vra në lagjen Tal al-Hawa dhe një tjetër sulm goditi palestinezë që prisnin për ujë në lagjen Daraj. Granatimet shkatërruan qendrën kryesore mjekësore të qytetit, duke plagosur dy punonjës shëndetësorë. Sipas Shoqërisë së Ndihmës Mjekësore Palestineze, ushtria izraelite pengoi evakuimin e pajisjeve dhe furnizimeve, ndërsa klinika të tjera janë shkatërruar ose rrethuar.
Izraeli ka shpallur al-Mawasi si zonë të sigurt, por kjo zonë është goditur disa herë dhe, sipas autoriteteve shëndetësore, nuk ka ujë, ushqim apo shërbime mjekësore. Tri fëmijë ndërruan jetë nga kequshqyerja në jug, ndërsa mjekët në Khan Younis raportuan se tre palestinezë u vranë pranë kësaj zone. OKB paralajmëron se uria po përdoret si armë lufte.
Ndërkohë, edhe Bregu Perëndimor është përfshirë nga dhuna. Një kolon i armatosur vrau Saeed Murad al-Nasan në fshatin al-Mughayyir pranë Ramallahut, ndërsa ushtria izraelite ndërmori bastisje në disa qytete dhe mbylli urën King Hussein (Allenby), e vetmja lidhje mes Bregut Perëndimor dhe Jordanisë. Një raport i OKB tha se këto veprime janë pjesë e një strategjie për të siguruar kontroll të përhershëm mbi Gazën dhe për të krijuar shumicë hebraike në Bregun Perëndimor.
Komisioni i OKB-së javën e kaluar arriti në përfundimin se politikat izraelite, shpërngulja e detyruar, mohimi i të drejtës së kthimit, shkatërrimi i infrastrukturës dhe përdorimi i urisë si armë, përmbushin përkufizimin ligjor të gjenocidit.