
Pavarësisht thirrjes së Trump për armëpushim, Izraeli vijon sulmet në Gaza duke lënë dhjetëra civilë të vrarë, mes tyre gra e fëmijë.
Presidenti amerikan Donald Trump i kishte kërkuar Izraelit të ndalonte menjëherë bombardimet në Gaza, pasi Hamas pranoi pjesërisht planin e tij 20-pikësh për paqe, por sulmet izraelite kanë vazhduar me intensitet, duke lënë të paktën 20 palestinezë të vrarë që prej agimit të sotëm.
Ndërsa Trump deklaroi se Hamas është gati për një paqe të qëndrueshme dhe u bëri thirrje forcave izraelite të ndalojnë sulmet, për të mundësuar lirimin e pengjeve, realiteti në terren tregon të kundërtën.
Bombardimet dhe të shtënat me armë kanë goditur kampin Nuseirat, zonën e al-Mawasi, të shpallur nga Izraeli si zonë humanitare, si dhe lagjen Tuffah në qytetin e Gazës, ku janë vrarë disa civilë, përfshirë fëmijë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, numri i përgjithshëm i të vrarëve që nga tetori 2023 ka arritur në mbi 67 mijë, ndërsa rreth 170 mijë persona janë plagosur. Mijëra të tjerë mbeten nën rrënoja.
Dy fëmijë të tjerë kanë vdekur nga uria gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 459 numrin e viktimave nga uria dhe mungesa e ndihmave, ndërsa spitalet janë në prag kolapsi total.
Në Uashington, Trump përsëriti se bombardimet duhet të ndalen menjëherë dhe u shpreh se Hamas ka bërë hapin e parë drejt paqes së shumëpritur në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Tel Avivi ka njoftuar se ushtria do të vazhdojë “operacionet mbrojtëse” në Gaza, duke paralajmëruar se Gaza City mbetet zonë lufte dhe palestinezët nuk lejohen të kthehen në veri.
Analistët izraelitë vlerësojnë se marrëdhëniet mes Trump dhe Netanyah janë në pikën më të tensionuar, pasi presidenti amerikan e sheh tashmë Izraelin si një “barrë politike”.
Ndërkohë, OKB dhe ndërmjetësit arabë kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe hapjen e korridoreve humanitare, duke e cilësuar këtë moment si “dritaren e fundit për t’i dhënë fund tragjedisë në Gaza”.