
Dr. Christophe de Jaeger, pionier i mjekësisë së jetëgjatësisë, tregon rutinën e tij të përditshme; nga ushqimi, sporti, deri te mënyra si menaxhon stresin për të mbetur “biologjikisht i ri”.
Një nga emrat më të njohur në mjekësinë e jetëgjatësisë në Europë, Dr. Christophe de Jaeger, 66 vjeç, thotë se trupi i tij është 20 vjet më i ri se mosha e tij reale. “Jam 66 vjeç, por arteriet i kam 46”, -thotë ai me buzëqeshje, duke e cilësuar këtë si fryt të disiplinës, ushqyerjes së kujdesshme dhe një filozofie jetese që nuk ndjek modën, por biologjinë.
President i Institutit Europian të Jetëgjatësisë, Dr. de Jaeger ka dekada që studion mënyrat si organizmi mund të ngadalësojë plakjen dhe të mbajë energjinë rinore. Ai ndan rregullat që i aplikon vetë: një dietë e ekuilibruar mes proteinave të lehta dhe fibrave, aktivitet fizik i moderuar çdo ditë, gjumë cilësor dhe, mbi të gjitha, asnjë stres i panevojshëm.
Ndryshe nga multimilionerët amerikanë që investojnë miliona në teknologji për “të rifituar rininë”, mjeku francez beson se çelësi nuk është tek mrekullitë artificiale, por tek harmonia mes trupit dhe mendjes. “Trupi është si një motor që funksionon mirë vetëm nëse e respekton. Nuk ka sekret tjetër”, -thotë ai.
Në një botë ku plakja shihet si betejë e humbur, Dr. de Jaeger përfaqëson shkencën që kërkon ta bëjë atë një udhëtim më të gjatë, më të qetë dhe më dinjitoz.