

Ministria e Drejtësisë e akuzon për shkelje të rënda të lidhura me zbulimin e informacioneve sensitive. Ai që drejtoi policinë federale nga viti 2013 deri në 2017, u shkarkua nga Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë, në kohën kur po hetonte për dyshime mbi ndërhyrjet e huaja.
Ish-drejtori i policisë federale amerikane (FBI), James Comey, u akuzua të enjten, më 25 shtator, për pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme, njoftoi Ministria e Drejtësisë e SHBA.
“Një juri e madhe federale (një komision qytetarësh me fuqi hetuese) ka akuzuar ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, për shkelje të rënda të lidhura me zbulimin e informacioneve sensitive”, -thuhej në deklaratën zyrtare të ministrisë.
Donald Trump, në rrjetin e tij Truth Social, e përshëndeti menjëherë akuzimin e Comey-t: “Drejtësi në Amerikë!”, shkroi presidenti amerikan, i cili prej kohësh e kishte sulmuar ish-drejtorin e FBI-së, duke e cilësuar një nga qëniet më të këqija që ka njohur ky vend.
“Unë nuk kam frikë”, -tha Comey pas ngritjes së akuzave, duke shtuar se frika është arma e tiranëve. Ai theksoi se familja e tij e kishte ditur prej vitesh koston e kundërshtimit të Donald Trump-it. “Ne nuk do të jetojmë në gjunjë dhe as ju nuk duhet ta bëni. Kam besim tek drejtësia federale dhe jam i pafajshëm. Shihemi në gjyq dhe mbani besimin gjallë”, -tha Comey në një videomesazh të publikuar në Instagram.
Në mandatin e tij të parë (2017–2021), Trump e shkarkoi në mënyrë të beftë James Comey-n, pikërisht në vitin 2017, kur ky i fundit po hetonte për ndërhyrjet e mundshme të huaja në zgjedhje. Më pas, e akuzoi publikisht se kishte gënjyer përpara Kongresit.
Vetëm disa ditë më parë, Trump kishte bërë thirrje publike ministres së Drejtësisë, Pam Bondi, që të ndiqte penalisht disa prej kundërshtarëve të tij politikë. Ai madje u mburr se kishte shkarkuar një prokuror federal që kishte refuzuar të ngrinte akuza kundër Comey-t dhe prokurores së përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, një tjetër prej kundërshtareve të tij kryesore.
Sipas deklaratës së Lindsey Halligan, e cila sapo është emëruar nga Trump si zëvendësuese e prokurorit të shkarkuar Erik Siebert, akuzat ndaj James Comey lidhen me dëshminë e tij përpara një komisioni të Senatit të SHBA, më 30 shtator 2020. “Këto akuza tregojnë një abuzim të jashtëzakonshëm të besimit të publikut”, -tha Halligan.
Nëse shpallet fajtor, ish-drejtori i FBI-së rrezikon deri në pesë vite burg