
Sistemi i ri ushtarak instalohet në një anije luftarake dhe pritet të testohet në det në vitin 2026
Japonia ka hyrë zyrtarisht në epokën e armëve me energji të drejtuar, pasi ka testuar një sistem lazer me fuqi 100 kilovat, i aftë të shkatërrojë dronë dhe kërcënime ajrore të lehta gjatë fluturimit. Sistemi është instaluar në anijen eksperimentale JS Asuka, me peshë rreth 6 200 tonë.
Arma lazer përbëhet nga 10 lazerë individualë me nga 10 kilovat secili, të kombinuar në një rreze të vetme shumë të fuqishme. Sipas autoriteteve japoneze, rrezja është mjaft e fortë për të djegur sipërfaqe metalike dhe për të neutralizuar dronë, predha mortajash dhe objektiva të tjerë ajrorë me peshë të vogël.
Sistemi është zhvilluar nga Kawasaki Heavy Industries dhe është dorëzuar për herë të parë në vitin 2023. Vendosja në anije u konfirmua më 2 dhjetor nga Acquisition, Technology and Logistics Agency, e cila bëri të ditur se arma do t’i nënshtrohet testimeve reale në det pas datës 27 shkurt 2026.
Zyrtarët japonezë theksojnë se një nga avantazhet kryesore të armës lazer është mungesa e municionit tradicional. Për sa kohë ka energji elektrike, sistemi mund të qëllojë pa kufi teorik, me një kosto shumë më të ulët për goditje krahasuar me sistemet klasike të mbrojtjes ajrore.
Megjithatë, ekspertët vërejnë se sfidat mbeten të mëdha. Kushtet detare, lagështia, era dhe lëvizjet e anijes e bëjnë më të vështirë mbajtjen e saktë të objektivit, ndërsa kërkesat për energji dhe ftohje janë të konsiderueshme. Për këtë arsye, vendosja operative e armës konsiderohet ende disa vite larg.
Me këtë zhvillim, Japonia i bashkohet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar në listën e vendeve që po zhvillojnë armë me energji të drejtuar, ndërsa Kina dyshohet gjithashtu se po teston teknologji të ngjashme. Ky hap shënon një ndryshim të rëndësishëm në doktrinën moderne të mbrojtjes dhe luftës ajrore.
