
Nga tentativa e pasuksesshme si aktore, te fotot provokuese në Kanë dhe dyshimet mbi lotët pas marrjes në pyetje
Emri i Jessica Moretti ka dalë fuqishëm në qendër të vëmendjes pas tragjedisë së rëndë të natës së Vitit të Ri në Crans-Montana, ku humbën jetën 40 persona në lokalin Le Constellation, në pronësi të saj. Përtej rolit si pronare e barit ku ndodhi ngjarja fatale, mediat italiane kanë nisur të zbulojnë edhe të shkuarën e saj personale dhe profesionale.
Në bazën e të dhënave IMDB, Jessica Moretti përshkruhet si aktore e njohur për pjesëmarrjen në serialin televiziv Piccoli segreti tra vicini. Megjithatë, një verifikim më i thelluar tregon se bëhet fjalë vetëm për një paraqitje të shkurtër, një cameo në një episod të vetëm. Pavarësisht kësaj, Moretti ka tentuar për disa kohë të ndërtojë një karrierë në aktrim, duke marrë pjesë në disa filma dhe kurse recitimi, por pa arritur rezultate domethënëse.
Pas tragjedisë, dalja e saj nga marrja në pyetje me prokurorët dhe pamjet ku shfaqet në lot kanë ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale. Shumë përdorues i kanë cilësuar emocionet e saj si lot krokodili, duke vënë në dyshim sinqeritetin e reagimit. Pikërisht këto pamje kanë shtyrë mediat dhe opinionin publik të rikthehen te e kaluara e saj dhe te disa episode të diskutueshme, përfshirë fotografi nga Festivali i Kanës ku ajo shfaqej në poza provokuese, madje edhe me një armë tip Kalashnikov.
Jessica Moretti, bashkëshortja e Jacques Moretti, ndodhet tashmë në qendër të hetimeve dhe debatit publik, ndërsa autoritetet vijojnë të zbardhin përgjegjësitë për njërën nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Zvicër. E shkuara e saj, dikur pak e njohur, sot po analizohet në çdo detaj, nën hijen e një ngjarjeje që tronditi opinionin publik ndërkombëtar.
