
Ekspertët paralajmërojnë se shtetet janë ligjërisht të detyruar të parandalojnë dhe ndëshkojnë gjenocidin, ndërsa bota hesht përballë shkatërrimit të Palestinës
Dy vjet pas fillimit të luftës në Gaza, një numër i madh juristësh dhe ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare kanë ngritur zërin për domosdoshmërinë e përdorimit të termit “gjenocid” për veprimet e Izraelit ndaj popullit palestinez. Ata theksojnë se ky përkufizim nuk është politik, por juridik dhe detyrues, pasi aktivizon përgjegjësi ndërkombëtare për ndalimin e krimit më të rëndë të njohur nga ligji ndërkombëtar.
Ish-zyrtari i Kombeve të Bashkuara, Craig Mokhiber, kujtoi se Konventa e OKB e vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit i detyron të gjitha shtetet nënshkruese të përdorin çdo mjet të mundshëm për ta ndalur dhe ndëshkuar gjenocidin.
“Obligimet vlejnë për të gjitha shtetet, pa përjashtim. Të gjitha janë përgjegjëse për ta parandaluar dhe ndaluar këtë krim”, – deklaroi ai.
Edhe profesoresha Susan Akram, drejtuese e Zyrës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Bostonit, theksoi se njohja zyrtare e gjenocidit automatikisht aktivizon detyrimet e shteteve për të ndërhyrë.
“Ky është krimi më i rëndë në rendin juridik ndërkombëtar, dhe heshtja e shteteve është dështim moral e ligjor,” – shtoi ajo.
Sipas hetimeve të Komisionit të Pavarur të OKB dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si Amnesty International, Human Rights Watch, B’Tselem dhe Lemkin Institute, Izraeli ka kryer disa nga aktet që përbëjnë gjenocid, përfshirë:
- vrasjen masive të civilëve,
- plagosjen e qëllimshme të popullsisë,
- shkatërrimin e spitaleve dhe qendrave të ndihmës,
- urinë e detyruar përmes bllokadës së ndihmave,
- zhvendosjen masive të popullsisë.
Në një raport të shtatorit 2025, Komisioni i OKB deklaroi se autoritetet izraelite kanë pasur synimin për të shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të popullsisë palestineze, duke e cilësuar situatën si “plausible genocide”, gjenocid të mundshëm në zhvillim.
Statistikat janë rrëqethëse: mbi 67 mijë të vrarë dhe afro 170 mijë të plagosur në Gaza që nga tetori 2023. Pothuajse i gjithë territori është kthyer në rrënojë, ndërsa bllokada e ushqimeve dhe karburantit ka shkaktuar uri masive.
Izraeli po përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), një çështje e ngritur nga Afrika e Jugut. Deri tani, ICJ ka dhënë disa vendime të përkohshme, duke i kërkuar Izraelit të ndalojë veprimet që mund të përbëjnë gjenocid dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare, urdhra që Izraeli i ka shpërfillur.
Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) gjithashtu ka nxjerrë urdhër-arreste për kryeministrin Benjamin Netanyah dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte, përfshirë përdorimin e urisë si armë. Por ende nuk janë ngritur akuza të plota për gjenocid.
“Nuk është aspak e paqartë se çfarë duhet të bëjnë shtetet. Duhet të ndalojnë një gjenocid në zhvillim. Mosveprimi është bashkëfajësi,” – theksoi Akram.
Pavarësisht provave e qarta dhe raporteve ndërkombëtare, asnjë regjim sanksionesh i përbashkët nuk është vendosur ndaj Izraelit. Shumë shtete perëndimore, përfshirë SHBA, vazhdojnë ta mbështesin financiarisht dhe politikisht Tel Avivin.
Profesori Ernesto Verdeja e përmblodhi qartë:
“Kjo nuk është vetëm çështje ligjore, por politike. Kërkon presion të qëndrueshëm dhe të gjerë nga qeveritë dhe shoqëritë civile për ta ndalur këtë shkatërrim të tmerrshëm.”
Ndërsa bota ligjore debaton termat, në Gaza, çdo ditë humbin jetë njerëzish. Juristët paralajmërojnë se nuk duhet pritur një vendim formal për të vepruar, pasi parandalimi i gjenocidit është detyrim paraprak dhe i menjëhershëm.
“Gjenocidi nuk duhet pritur të konfirmohet në gjykatë. Ai duhet parandaluar përpara se të mbyllen sytë përballë shkatërrimit të një populli,” – përfundon Verdeja.