
Shteti ishullor afrikan, me vetëm 600 mijë banorë, kualifikohet për “FIFA World Cup 2026” pas një fushate të pabesueshme, duke lënë pas edhe Kamerunin.
Një histori e ëndrrave u shkrua të hënën në Praia, kryeqytetin e Kabo Verdes, ku kombëtarja vendase u kualifikua për herë të parë në historinë e saj në Kupën e Botës. Skuadra triumfoi 3-0 ndaj Eswatinisë, duke mbyllur fazën e grupeve në krye të renditjes dhe duke siguruar një vend mes më të mirëve të planetit për “FIFA World Cup 2026” që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut.
Golat e Dailon Livramentos, Willy Semedos dhe veteranit Stopira i dhanë fund një fushate që tashmë po cilësohet si “përralla e Kabo Verdes”. Fitorja e çoi ekipin në kuotën e 23 pikëve, katër më shumë se Kameruni, ekipi me tetë pjesëmarrje historike në Kupat e Botës, i cili u ndal në barazim 0-0 në shtëpi ndaj Angolës.
Në një ditë që ishte shpallur festë kombëtare, banorët e ishujve të Atlantikut u mblodhën në rrugë, në sheshe e në lokale për të ndjekur ndeshjen historike. Pas një pjese të parë të tensionuar, Livramento zhbllokoi rezultatin në minutën e 48-të, duke ndezur festën në Estadio Nacional de Cabo Verde. Vetëm pak minuta më pas, Semedo dyfishoi shifrat, ndërsa Stopira, në ndoshta ndeshjen e tij të fundit me fanellën e kombëtares, vulosi gjithçka në minutat shtesë, duke e kthyer stadiumin në një det gëzimi.
Kabo Verde, dikur një skuadër modeste që rrallë luante ndeshje ndërkombëtare, tashmë është bërë simbol i ëndrrës afrikanë. Me këtë sukses, ajo bëhet vendi i dytë më i vogël në botë që kualifikohet në një Kupë Bote, pas Islandës që mori pjesë në Rusi 2018.
Në Botërorin e vitit të ardhshëm, përfaqësuesja e Kabo Verdes do t’i bashkohet Marokut, Tunizisë, Egjiptit, Algjerisë dhe Ganës, që tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen. Për kamerunasit, ndërkohë, shpresat mbeten në play-off, pasi dështimi për të mundur Angolën solli zhgënjim dhe fishkëllima në stadiumin e Yaounde-së.
Nga rrugët e erës së Atlantikut në një nga skenat më të mëdha të futbollit botëror, historia e Kabo Verdes është dëshmia se ëndrrat, me pasion dhe këmbëngulje, mund të bëhen realitet.