
Dokumenti i drejtuar Këshillit Kombëtar kërkon orientim të qartë konservator, shkëputje nga fondacionet e lidhura me Soros dhe krijimin e një komisioni të posaçëm vettingu brenda partisë
Aulon Kalaja i është drejtuar zyrtarisht Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike me një propozim të detajuar për hartimin dhe miratimin e një memorandumi për të ashtuquajturin de-sorosizim të partisë, duke kërkuar ndryshime konkrete në statut, riorientim ideologjik dhe riorganizim të brendshëm.
Në dokumentin e paraqitur, Kalaja thekson se Partia Demokratike e Shqipërisë, si forca kryesore opozitare, duhet të ketë si objektiv parësor rotacionin politik, rikthimin e besimit qytetar dhe ndërtimin e një alternative reale përballë qeverisë aktuale. Sipas tij, PD duhet të kalojë nga konstatimet te zgjidhjet konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve.
Propozimi përfshin ndryshime në nenet themelore të statutit, ku kërkohet theksim më i fortë i vlerave konservatore patriotike, mbrojtja e familjes tradicionale dhe orientimi ideologjik i partisë drejt konservatorizmit. Kalaja propozon gjithashtu që PD të shkëputet nga anëtarësimi aktual në Partinë Popullore Europiane dhe të pozicionohet në një aleancë të re politike të quajtur Patriotët për Europën, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen me Bashkimin Demokrat Ndërkombëtar.
Një nga pikat më të forta të memorandumit është kërkesa për ndalimin e veprimtarisë në Shqipëri të Fondacionit Shoqëria e Hapur dhe organizatave të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me të, shpalljen e tyre si të padëshirueshme dhe nisjen e hetimeve për aktivitetet dhe asetet e tyre që nga momenti i krijimit.
Në dokument parashikohet edhe krijimi i një Komisioni të Posaçëm për De-Sorosizim, një strukturë e përhershme me mandat katërvjeçar, e cila do të ketë kompetenca për verifikimin e drejtuesve të strukturave qendrore të PD-së, mbledhjen e informacionit mbi lidhjet e mundshme me fondacione apo organizata të financuara nga Soros dhe marrjen e masave disiplinore në bashkëpunim me strukturat e partisë.
Kalaja argumenton se PD duhet të distancohet qartë nga axhendat neo-liberale dhe globaliste, të cilat sipas tij cenojnë vlerat tradicionale, sovranitetin kombëtar dhe identitetin shqiptar. Në këtë kuadër, ai kërkon që partia të deklarojë publikisht mbështetjen për politikat e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe të forcojë marrëdhëniet zyrtare me Partinë Republikane në SHBA.
Në përfundim, propozimi thekson nevojën për një riorganizim të thellë të Partisë Demokratike, hapje ndaj bazës, ndërtim meritokracie, transparencë në vendimmarrje dhe koherencë mes fjalës dhe veprës. Sipas Kalasë, vetëm përmes disiplinës politike, guximit moral dhe një programi të qartë konservator, PD mund të rikthejë besimin e humbur dhe të shndërrohet në një projekt kombëtar fitues për të ardhmen e vendit.
