 
        
Dionis Sota, 45-vjeçar, garon për drejtimin e Bashkisë së Vlorës si i pavarur i mbështetur nga opozita, ndërsa në formularin e vetëdeklarimit pranon se nuk ka arsim universitar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, ku një prej emrave që ka tërhequr vëmendjen është ai i Dionis Sotës, kandidatit të mbështetur nga Partia Demokratike e Sali Berishës dhe disa forca të tjera opozitare.
Në formularin zyrtar të vetëdeklarimit, Sota, 45 vjeç, i cili vjen nga fusha e turizmit dhe ndërtimit, pranon se nuk ka përfunduar studime të larta. Në rubrikën ku kërkohej të shënohej institucioni arsimor i përfunduar, ai ka shkruar “studim aktiv on-line/libra”, duke lënë të kuptohet se formimin e tij e ka ndërtuar vetë përmes leximit dhe materialeve në internet.
Kandidati ka mbaruar arsimin e mesëm në shkollën “Qemal Atatürk”. Ai liston disa përvoja pune në fushën private, kryesisht në sektorin e turizmit, si dhe angazhime në shoqata dhe nisma qytetare.
Në pjesën e fundit të formularit, Sota përmend se ka marrë pjesë në protesta dhe aktivitete shoqërore, ndërsa thekson se shikimi i filmave dhe leximi i librave kanë qenë pjesë e procesit të tij të vetëformimit.
Kandidatura e tij ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik, duke hapur debat mbi kriteret e përgatitjes profesionale që duhet të ketë një person që aspiron të drejtojë një bashki të madhe si Vlora.

 
         
         
         
         
        