Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin Eno Agasi, i cili dyshohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë të mallrave që paguajnë akcizë si dhe magazinim të paligjshëm të tyre.
Ndërkaq, Eno Agasi rezulton të jetë kushëri i Ergys Agasit, i cili është gjithashtu i shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve të SPAK për çështjen e AKSHI-t.
Sipas hetimeve, gjatë një kontrolli të kryer nga hetuesit e BKH në banesën e Agasit, u zbulua një kantinë vere që dyshohet se ishte kontrabandë.
Për këtë arsye, u njoftua Drejtoria e Doganave, e cila kreu inventarizimin e mallit për disa orë, duke përllogaritur një dëm prej rreth 400 milionë lekësh në buxhetin e shtetit nga mospagimi i akcizës.
Për shkak se kontrolli u krye gjatë natës dhe transporti i mallit nuk ishte i mundur, vera u la përkohësisht në ruajtje në vilë. Sipas Prokurorisë, gjatë natës Eno Agasi ka larguar sasinë e verës dhe më pas ka hequr edhe serverin e kamerave të sigurisë. Kur mjetet e Doganës janë paraqitur për të marrë mallin dhe për ta dërguar në ambientet e ruajtjes, kanë konstatuar se kantina ishte bosh.
