
Ndërprerja e sistemit të trafikut ajror shkakton anulime dhe vonesa të mëdha; udhëtarëve u kërkohet të kontaktojnë linjat ajrore për informacion
Në Mbretërinë e Bashkuar ka shpërthyer kaos udhëtimesh pasi aeroporti i Edinburgut pezulloi të gjitha fluturimet për shkak të një problemi teknik në shërbimin e kontrollit të trafikut ajror. Fluturimet hyrëse dhe dalëse u ndërprenë mëngjesin e sotëm rreth orës 08:30, duke lënë qindra pasagjerë të bllokuar dhe të pasigurt për destinacionet e tyre.
Autoritetet e aeroportit njoftuan se bëhet fjalë për një defekt IT që ka ndaluar operimin e avionëve, teksa ekipet teknike po punojnë për zgjidhjen e situatës sa më shpejt. Udhëtarëve u është kërkuar të kontaktojnë kompanitë ajrore për informacion të mëtejshëm lidhur me fluturimet e tyre.
Një përfaqësues i aeroportit deklaroi se për shkak të problemit teknik me ofruesin e kontrollit ajror, asnjë fluturim nuk mund të kryhet deri në normalizimin e sistemit. Ende nuk është bërë e ditur kur pritet rikthimi në operim i plotë.
Ngjarja ka shkaktuar radhë të gjata, vonesa dhe pasiguri për udhëtarët, ndërsa fluturimet në destinacione të ndryshme janë shtyrë ose anuluar përkohësisht.
