

Një ngjarje e pazakontë tronditi mbrëmjen e së hënës aeroportin kryesor të Danimarkës, në Kopenhagë, ku të gjitha fluturimet u pezulluan përkohësisht pas sinjalizimeve për dy ose tre drone të mëdhenj që po qarkullonin mbi zonë.
Autoritetet ndërprenë ngritjet dhe uljet rreth orës 20:30, duke shkaktuar vonesa dhe konfuzion tek qindra pasagjerë. Sipas të dhënave të shërbimit të monitorimit FlightRadar, të paktën 35 fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera.
Policia daneze ka konfirmuar incidentin, duke theksuar se hetimet janë në vazhdim për të identifikuar dronet. Deri më tani, nuk ka informacione se kur aeroporti do të rikthehet në normalitet.
Ky rast vjen vetëm pak ditë pas një vale problemesh që prekën disa aeroporte të mëdha evropiane, mes tyre Heathrow, Berlin dhe Dublin, pas një sulmi kibernetik ndaj një kompanie që ofron shërbimet e check-in dhe boarding.