
Deklaratat e Sekretarit amerikan të Tregtisë shkaktojnë fërshëllima në sallë, ndërsa Christine Lagarde largohet në shenjë reagimi
Një atmosferë e tensionuar dhe kaotike ka mbizotëruar në darkën gala të zhvilluar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku ndërhyrja e Sekretarit amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, ka shkaktuar reagime të forta nga të pranishmit.
Gjatë një darke të organizuar nga Larry Fink i BlackRock, bashkëkryetar i përkohshëm i forumit, Lutnick kritikoi ashpër politikat europiane mbi energjinë dhe ekonominë globale. Sipas burimeve ndërkombëtare, fjalimi i tij u ndërpre disa herë nga fërshëllima dhe reagime kundërshtuese nga audienca.
Të pranishëm në sallë e përshkruan situatën si jashtëzakonisht të tensionuar, me ndërhyrje të vazhdueshme dhe pakënaqësi të hapur ndaj qëndrimeve të përfaqësuesit të administratës amerikane.
Situata u përshkallëzua më tej kur presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, u ngrit dhe u largua nga salla gjatë fjalimit të Lutnick. Sipas dëshmitarëve të cituar nga Financial Times, largimi i saj u interpretua si reagim i drejtpërdrejtë ndaj deklaratave kritike ndaj Evropës.
Edhe pse Banka Qendrore Europiane nuk ka dhënë një koment zyrtar, veprimi i Lagarde u pa si një sinjal i qartë i thellimit të përçarjes transatlantike, veçanërisht në çështje si tarifat doganore, Groenlanda, energjia dhe bashkëpunimi strategjik mes SHBA dhe Bashkimit Europian.
Ngjarja e mbrëmjes konfirmoi edhe një herë klimën e acaruar që po shoqëron samitin e Davosit këtë vit, në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve europiane ndodhen në një nga momentet më të ndërlikuara të dekadave të fundit.
