
Deputetët e PD zënë vendet e ministrave, përplasje fizike dhe verbale në sallë, Berisha filmon zhvillimet
Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me kaos dhe tensione të forta që në momentet e para të nisjes. Deputetët e Partisë Demokratike, të drejtuar nga Sali Berisha, janë grumbulluar pranë foltores, ndërsa Klevis Balliu dhe Flamur Noka janë ulur në vendet e rezervuara për ministrat.
Situata u përshkallëzua kur punonjësit e Gardës së Republikës ndërhynë për të liruar hapësirën për anëtarët e qeverisë. Në pamjet e publikuara nga mediat, deputeti Klevis Balliu shihet teksa tërhiqet me forcë nga Garda, ndërsa efektivët krijojnë një kordon sigurie përpara ministrave.
Gjatë përplasjes, ish-kryeministri Sali Berisha është parë duke filmuar me telefonin e tij celular zhvillimet në sallë. Nga pamjet dëgjohet teksa ai u drejtohet ministrave me akuza, duke i cilësuar si mbrojtës të hajdutëve dhe duke paralajmëruar pasoja ligjore.
Tensionet verbale vijuan edhe mes deputetëve, ku kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, iu drejtua një deputeti socialist me një shprehje fyese, duke e përkeqësuar më tej klimën në sallë.
Ngjarjet e sotme bënë që zhvillimi normal i seancës plenare të vihej seriozisht në pikëpyetje, ndërsa Kuvendi u shndërrua për disa minuta në skenë përplasjesh fizike dhe verbale mes opozitës, mazhorancës dhe strukturave të sigurisë.
