
Tensione në sallë dhe ndërprerje e transmetimit, punonjësit ndërhyjnë për shuarjen e flakëve
Seanca plenare e sotme në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione të forta dhe situata të pazakonta, teksa paralelisht me kaosin brenda sallës, jashtë godinës ka shpërthyer zjarr në fibrat e transmetimit.
Sipas pamjeve të publikuara, flakët kanë përfshirë kabllot e fibrave të transmetimit të vendosura jashtë Kuvendit, duke shkaktuar alarm dhe ndërhyrje të menjëhershme nga punonjësit e institucionit. Zjarri është vënë nën kontroll brenda pak minutash dhe është shmangur përhapja e mëtejshme.
Ngjarja ndodhi në të njëjtën kohë kur në sallën plenare po zhvilloheshin përplasje dhe tensione mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, me seancën që nisi mes protestave dhe bllokimeve nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike.
Gjatë momentit të zjarrit, nga salla është dëgjuar edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili ka deklaruar se godina jashtë Kuvendit ishte përfshirë nga flakët, duke shtuar më tej klimën e tensionuar të ditës parlamentare.
Ngjarja e sotme konsiderohet një nga episodet më të rënda të kaosit institucional të regjistruara në Kuvend, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë shkaqet e zjarrit dhe ndikimin e tij në sistemin e transmetimit.
