 
        
Policia arreston 52-vjeçarin që vodhi nga kasaforta e një banese në rrugën “Musa Agolli” një shumë prej 1 milion lekësh dhe bizhuteri me vlerë 20 mijë euro, ndërsa bashkëpunëtori i tij 56-vjeçar është ende në kërkim.
Një 52-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohet për një grabitje të ndodhur më 24 tetor në një banesë në rrugën “Musa Agolli”. Sipas hetimeve, autori dyshohet se ka hyrë në shtëpinë e një shtetaseje gjatë mungesës së saj dhe ka marrë nga kasaforta 1 milion lekë dhe sende me vlerë rreth 20 mijë euro.
Pas grabitjes, 52-vjeçari është ndihmuar nga një bashkëpunëtor 56-vjeçar për t’u larguar nga vendngjarja me automjet. Pas kallëzimit të bërë nga pronarja e banesës, policia nisi menjëherë hetimet dhe identifikoi autorët në kuadër të operacionit të koduar “Rojtaret”.
Si rezultat, u arrestua shtetasi P. Z., 52 vjeç, ndërsa bashkëpunëtori i tij D. B., 56 vjeç, është shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Policia tha se materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.

 
         
         
         
         
        