Policia italiane ka goditur një grup të njohur si “skifterët” shqiptarë, duke arrestuar katër anëtarë të tij në Padova, teksa po ktheheshin nga një vjedhje e kryer në zonën e Pordenones
Sipas mediave italiane, grupi akuzohet për grabitje dhe vjedhje të sendeve me vlerë, me një dëm total që arrin rreth 200 mijë euro.
Ndër materialet e sekuestruara janë bizhuteri floriri, ora luksoze dhe objekte të tjera me vlerë, të cilat autorët i kishin fshehur në një apartament të marrë me qira.
Njëri prej tyre, një 25-vjeçar pa precedentë të mëparshëm, ka tentuar t’i shpëtojë arrestimit.
Ai jetonte në Itali që prej vitit 2018.
I arrestuari i dytë, 35 vjeç, banon në Itali që nga viti 2005 dhe ka qenë dy herë në burg në vitin 2012 për vjedhje, si edhe në vitin 2023 për posedim të mjeteve të vjedhjes dhe armëmbajtje pa leje.
I treti, 34 vjeç, është arrestuar më parë në vitet 2023 dhe 2024 për të njëjtat vepra penale.
Ai rezulton gjithashtu i kërkuar nga Prokuroria e Teramos, ku ndaj tij ishte lëshuar një urdhër paraburgimi për vjedhje me thyerje.
Anëtari i fundit i grupit, një 36-vjeçar, ka disa dënime të mëparshme në vitet 2011, 2013 dhe 2021, ndërsa është i kërkuar edhe për një dënim prej dy vitesh e gjysmë në lidhje me rreth 40 vjedhje të kryera në rajonin Tri-Veneto.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi bizhuteri të shumta floriri, mjete të përdorura për të kryer vjedhjet, si edhe sasi të konsiderueshme valute.
Të katër të arrestuarit ndodhen në paraburgim në Pordenone, ku pritet të përballen me masat e sigurisë dhe procesin gjyqësor.
