
Droga ishte fshehur në çantat e supermarketit dhe nën sediljen ku ishte ulur fëmija, policia gjeti edhe sasi të tjera në banesë.
Një çift shqiptarësh është vënë në pranga nga policia italiane pasi u kap me 20 kilogramë drogë, ndërsa në makinë kishin edhe vajzën e tyre 2-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur pranë një supermarketi, ku patrulla e policisë ndaloi automjetin e çiftit 37 dhe 35 vjeç.
Gjatë kontrollit, në çantat që mbanin në bagazh, oficerët zbuluan pesë pako të mbështjella me vakum, me rreth 5 kg marihuanë. Hetimet çuan më pas policinë në banesën e tyre, ku u gjendën edhe 15 kilogramë të tjerë të së njëjtës lëndë narkotike.
Autoritetet vendosën të kontrollonin automjetin edhe për faktin që ishte në pronësi të një 62-vjeçari me precedentë penalë, i arrestuar disa javë më parë teksa transportonte 13 kg drogë. Pikërisht këto dyshime çuan në zbulimin e ngarkesës së çiftit shqiptar.
Sipas mediave italiane, pakot ishin fshehur nën sediljen e pasme të automjetit, aty ku ishte ulur fëmija 2-vjeçar. 37-vjeçari është lënë në burg, ndërsa ndaj bashkëshortes pa precedentë penalë është vendosur masa e detyrimit për t’u paraqitur në qytetin ku jetojnë.
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e shpërndarjes dhe personat e tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.
