Pas gati një viti në arrati, policia italiane vë në pranga një 41-vjeçar shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vjedhje të ndodhur në Greqi, në vitin 2016. Ai pritet të ekstradohet në Athinë për t’u përballur me drejtësinë.
Fundi i arratisë për një 41-vjeçar shqiptar, i cili prej më shumë se një viti fshihej nga drejtësia. Policia kufitare italiane e arrestoi atë në aeroportin Valerio Catullo të Veronës, pak çaste përpara se të hipte në një avion me destinacion Tiranën.
Gjatë kontrolleve rutinë, oficerët kufitarë konstatuan se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti evropian nga autoritetet greke, për një grabitje të kryer në qytetin bregdetar të Stoupas, në jug të vendit.
Sipas hetimeve të policisë greke, shqiptari kishte punuar më parë për viktimën, një biznesmen vendas, duke fituar besimin e tij. Ai dyshohet se kishte mësuar zakonet e ish-punëdhënësit dhe mënyrën se si ky ruante të ardhurat e biznesit. Në një mbrëmje të tetorit 2016, 41-vjeçari ka hyrë me forcë në automjetin e pronarit të parkuar pranë restorantit të tij dhe ka marrë një çantë që përmbante 130 mijë euro në para të gatshme, të ndara në kartëmonedha me prerje të ndryshme.
Autoritetet greke e kanë cilësuar autorin si një hajdut të përgatitur dhe me përvojë, duke theksuar se grabitja ishte kryer me kujdes dhe me njohuri të detajuara për viktimën.
Pas arrestimit, shqiptari u dërgua në komisariatin e policisë për procedurat përkatëse dhe më pas në burgun e Montorios, ku ndodhet në pritje të vendimit gjyqësor për ekstradim.
Sipas ligjit evropian, krime të këtij lloji parashikojnë dënim me burg prej më shumë se tre vjetësh. Procesi për transferimin e tij në Greqi është tashmë në dorë të autoriteteve gjyqësore italiane.
