
Rritja do të vijë në dy faza, në janar dhe korrik, duke ndikuar drejtpërdrejt çmimet për qytetarët dhe bizneset
Gjatë vitit 2026, çmimet e naftës dhe benzinës pritet të rriten sërish si pasojë e ndryshimeve fiskale të parashikuara në projektbuxhetin e ri. Sipas relacionit zyrtar, nga janari do të aplikohet indeksimi i akcizës me 1.5%, ndërsa nga korriku do të hyjë në fuqi rritja e taksës së karbonit nga 3 lekë për kilogram në 4.5 lekë për kilogram. Të dyja masat do të reflektohen drejtpërdrejt në çmimin final të karburanteve.
Ministria e Financave vlerëson se politikat ekzistuese fiskale do të sjellin rreth 667 milionë lekë të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2026. Vetëm rritja e taksës së karbonit pritet të gjenerojë 84 milionë lekë të ardhura të reja, ku një pjesë do të vijë nga TVSH në import.
Shtrenjtimi i çmimit të karburanteve do të ndodhë në dy valë. E para në janar me rritjen e akcizës dhe e dyta në korrik për shkak të taksës së karbonit. Kjo nënkupton një barrë të shtuar për konsumatorët, pasi çdo rritje e karburanteve ndikon edhe në koston e transportit, të prodhimit dhe të mallrave të nevojës së përditshme.
Ndërkohë, Shqipëria renditet prej kohësh ndër vendet me çmimet më të larta të karburanteve në botë, ndërsa të ardhurat për frymë mbeten ndër më të ulëtat në rajon. Pjesa më e madhe e çmimit të një litri naftë përbëhet nga taksat dhe tarifat, të cilat arrijnë mbi 60% të kostos finale.
Shtrenjtimi i ri pritet të shtojë presionin inflacionist në sektorë të tillë si ushqimi, logjistika dhe ndërtimi, duke e bërë vitin 2026 një vit të vështirë për buxhetet familjare dhe për kostot e bizneseve.
Ndërsa të ardhurat e shtetit rriten, çmimi për konsumatorin final do të vijojë të ngrihet, duke e bërë fuqinë blerëse të qytetarëve një nga sfidat kryesore të vitit të ardhshëm.
