
François Baroin, Christian Jacob, Philippe Briand dhe Renaud Muselier i dërgojnë një mesazh solidariteti ish-presidentit francez, i cili do të nisë dënimin më 21 tetor në burgun “La Santé” në Paris.
Në prag të ditës së tij më të vështirë politike dhe personale, Nicolas Sarkozy ka marrë një letër të hapur mbështetjeje nga katër prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në të djathtën franceze. François Baroin, Christian Jacob, Philippe Briand dhe Renaud Muselier, të gjithë ish-anëtarë të RPR, partisë historike gaulliste, kanë nënshkruar një tribune kolektive, me titullin “Ne e dimë sa shumë e do Francën: letër për shokun tonë, Nicolas Sarkozy.”
Në tekstin e tyre, ata nuk hyjnë në komentimin e vendimit gjyqësor që çon ish-presidentin në burg më 21 tetor, por e paraqesin letrën si një akt njerëzor e miqësor brenda familjes politike që u formua në RPR. “Kur një familjar goditet, është momenti kur themi gjërat që shpesh i kemi mbajtur përbrenda,” shkruajnë ata, duke përshkruar Sarkozy si njeriun energjik, karizmatik dhe të palodhur që e njohën që në vitet ’70 si aktivist të ri i së djathtës franceze.
Letra përshkruan me tone nostalgjike rrugëtimin e përbashkët politik që nga fushatat e Jacques Chirac deri te presidenca e Sarkozy në 2007, duke kujtuar inteligjencën, guximin dhe aftësinë për të bashkuar njerëzit përtej ndasive.
François Baroin, Philippe Briand, Christian Jacob dhe Renaud Muselier kanë dashur që mesazhi të interpretohet si një akt miqësie dhe respekti për një njeri që i ka shërbyer Francës, më shumë sesa si qëndrim politik ndaj drejtësisë.
Nicolas Sarkozy, i dënuar për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm, pritet të vuajë dënimin në burgun “La Santé” të Parisit duke u bërë ish-presidenti i parë francez që hyn në qeli pas Jacques Chirac, me të cilin ai kishte ndarë dekada bashkëpunimi dhe rivaliteti politik.