Nga Ginevra de’ Benci te Gioconda, Leonard da Vinci shpalosi përmes portreteve të grave të kohës së tij zhvillimin e artit dhe ndryshimet e mëdha shoqërore të Italisë së shekujve XV-XVI.
Në historinë e artit botëror, pak emra lidhen kaq fort me përjetësimin e femrës sa Leonardo da Vinci. Vetëm katër nga veprat e tij janë portrete të grave bashkëkohëse, por secila prej tyre përfaqëson një etapë të re në artin e portretit dhe në mënyrën se si gruaja shihej në shoqërinë e Rilindjes italiane.
E para ishte Ginevra de’ Benci, vajza e një bankieri të pasur fiorentin, portretizuar rreth vitit 1480. Leonardo e paraqiti ndryshe nga çdo artist i mëparshëm: me trupin e kthyer në diagonale dhe me shikimin drejt spektatorit, një risi që i dha jetë portretit dhe krijoi lidhje emocionale mes figurës dhe vëzhguesit. Në sfond, një shkurre e gjineshtrës, simbol i virtytit dhe nënkuptim i emrit të saj, përforconte idenë e bukurisë së pastër dhe shpirtërore.

Pas një dekade, Leonardo realizoi Damen me hermelinën, portretin e Cecilia Galleranit, dashnore e dukës së Milanos, Ludoviko Sforza. Vajza e re, e bukur dhe inteligjente, mban në krahë një hermelin, simbol i pastërtisë, por edhe aludim për vetë dukën, që mbante nofkën “Il Moro”. Këtu, Leonardo eksperimentoi me lëvizjen, me kontrastin e butë të shikimeve dhe me një buzëqeshje të lehtë që do të përkryhej më vonë në Giocondën.

Portreti i tretë, La Belle Ferronière, mbetet i mbështjellë me mister. Identiteti i gruas, Lucrezia Crivelli, Cecilia Gallerani apo ndonjë tjetër nga oborri milanez nuk është i qartë. Megjithatë, portreti shfaq një harmoni të përsosur mes sensualitetit dhe dinjitetit, me veshjen e kuqe dhe shikimin që ngjall më shumë se tregon. Leonardo e ndau figurën nga spektatori me një mur të ulët, një detaj i huazuar nga piktorët flamandë që më vonë do të bëhej pjesë e Giocondës.

Kulmi i këtij cikli është, natyrisht, Gioconda, Lisa del Giocondo, gruaja e një tregtari fiorentin. E realizuar rreth vitit 1503, kjo vepër sintetizon gjithçka që Leonardo kishte mësuar: sfondin e natyrës së gjallë, gjestet e buta të duarve, vështrimin enigmatik dhe mbi të gjitha teknikën e sfumatos, që zbut konturet e fytyrës dhe krijon ndjesinë e frymës së gjallë.

Nëpërmjet këtyre katër grave, Leonardo da Vinci nuk pikturoi thjesht fytyra, por epoka të tëra. Ai bashkoi artin me filozofinë, ndjenjën me arsyen dhe krijoi figura që ende sot mbeten simbol i përjetshëm i bukurisë, shpirtit dhe pushtetit të femrës në Rilindje.
