
Bazat ushtarake, porti detar dhe aeroporti që u vunë në shënjestër gjatë sulmeve ajrore të natës në Caracas
Shtetet e Bashkuara kanë goditur katër lokacione strategjike në Venezuelë gjatë një operacioni ajror të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në Caracas, sulme që paraprinë arrestimin e presidentit Nicolás Maduro. Objektivat janë identifikuar përmes pamjeve video, fotografive satelitore dhe verifikimeve të mediave ndërkombëtare.
Sipas konfirmimeve, vendet e goditura janë të gjitha objekte kyçe ushtarake dhe logjistike të regjimit venezuelian.
Baza Ajrore Generalissimo Francisco de Miranda, e njohur si La Carlota, ishte një nga objektivat kryesore. Pamje të filmuara nga distanca tregojnë shpërthime të fuqishme dhe shtëllunga të dendura tymi pranë pistës së bazës ushtarake në zemër të Caracasit, një prej pikave më të rëndësishme të forcave ajrore venezueliane.

Porti La Guaira, porta kryesore detare e kryeqytetit drejt Detit Karaibe, u godit gjithashtu. Pamjet e regjistruara në zonë tregojnë ndërtesa në flakë dhe tym që ngrihej mbi doket, ndërsa raportohet se janë përdorur edhe mjete zjarrfikëse për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Aeroporti Higuerote, i ndodhur në shtetin Miranda, në lindje të Caracasit, u përfshi nga shpërthime të përsëritura gjatë natës. Video nga kënde të ndryshme tregojnë flakë dhe ndezje të vazhdueshme në tokë, që sipas ekspertëve mund të tregojnë shpërthime dytësore të municioneve.

Fuerte Tiuna, kompleksi më i madh dhe më i rëndësishëm ushtarak në Caracas, ishte objektivi i katërt i konfirmuar. Agjencia Getty dhe të dhëna satelitore të NASA-s kanë regjistruar nxehtësi intensive dhe dëmtime të automjeteve ushtarake, duke konfirmuar goditjen direkte në këtë qendër strategjike të ushtrisë venezueliane.

Sulmet ajrore u urdhëruan nga Donald Tramp dhe nisën rreth orës 02:00 të mëngjesit me orën lokale, të shoqëruara nga fluturime të ulëta avionësh dhe të paktën shtatë shpërthime të fuqishme. Operacioni shënon një nga ndërhyrjet më të mëdha ushtarake amerikane në rajon në dekadat e fundit dhe ka rritur ndjeshëm tensionet gjeopolitike në Amerikën Latine.
