
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaron se protesta e opozitës para Kryeministrisë do të jetë më e vendosur se kurrë, duke kërkuar shkarkimin e Belinda Ballukut dhe duke e cilësuar problemin si pjesë të një sistemi të kalbur.
Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka zbuluar detaje të reja mbi protestën që opozita do të zhvillojë më 18 nëntor përpara Kryeministrisë, duke theksuar se ajo nuk do të kufizohet në një ecje simbolike në bulevard, por do të ketë karakter më të fortë dhe kërkesa të qarta politike.
Në një intervistë televizive, Këlliçi u shpreh se protesta do të ketë si qëllim kryesor largimin e menjëhershëm të Belinda Ballukut, pas vendimit të SPAK për ta marrë të pandehur në kuadër të një hetimi për shkelje në detyrë. Ai theksoi se çështja nuk është e izoluar, por pasqyron një sistem të deformuar të pushtetit.
“Protesta e 18 nëntorit do të ketë si moto largimin e menjëhershëm të Belinda Ballukut. Kemi protestuar për 44 javë rresht përpara Bashkisë së Tiranës, dhe jemi përballur me çdo lloj presioni për t’u ndalur. Por kjo që po ndodh nuk lidhet vetëm me një person, është çështje e një sistemi të tërë që funksionon mbi abuzimin dhe pandëshkueshmërinë,” tha Këlliçi.
Sipas tij, Balluku ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në rastet që po hetohen, duke vepruar sipas interesave të qeverisë dhe nën urdhrat e Kryeministrit. “Ajo është zyrtarisht përgjegjëse e institucionit që ka qenë autoritet kontraktor në këtë rast, dhe kjo nuk diskutohet. Por e bën për llogari të Edi Ramës,” shtoi ai.
Këlliçi paralajmëroi se protesta e opozitës do të jetë e gjerë dhe e vendosur, me pjesëmarrje masive dhe qëllim të qartë politik. “Nuk na duhet më vetëm një ecje në bulevard. Do të kërkojmë me vendosmëri largimin e menjëhershëm të Belinda Ballukut dhe do t’i tregojmë qeverisë se shqiptarët nuk pranojnë më një sistem që i mbron të korruptuarit,” përfundoi ai.
