
Presidenti francez deklaron se asnjë presion apo kërcënim nuk do të ndikojë Europën dhe se tarifat amerikane do të marrin përgjigje të koordinuar
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës janë rritur sërish, pasi presidenti amerikan Donald Tramp njoftoi vendosjen e tarifave të reja prej 10 % ndaj disa vendeve europiane që kundërshtojnë planin e tij për blerjen e Groenlandës. Në reagim të drejtpërdrejtë, presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se Evropa do të përgjigjet në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar.
Në një mesazh të publikuar në platformën X, Macron theksoi se Franca mbetet e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së kombeve, si në Evropë ashtu edhe kudo tjetër në botë. Sipas tij, ky parim është baza e zgjedhjeve politike franceze dhe e angazhimit ndaj Kombeve të Bashkuara dhe Kartës së tyre.
Macron bëri të ditur se Franca ka vendosur t’i bashkohet ushtrimeve të organizuara nga Danimarka në Groenlanda, duke theksuar se kjo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë në Arktik dhe në kufijtë veriorë të Evropës. Ai shtoi se kjo zgjedhje është e qëllimshme dhe e mirëkalkuluar.
Presidenti francez ishte i prerë në deklaratën e tij, duke nënvizuar se asnjë formë intimidimi apo kërcënimi nuk do ta ndikojë Evropën, qoftë për çështjen e Ukrainës, të Groenlandës apo në çdo situatë tjetër ndërkombëtare ku vihen në pikëpyetje parime themelore.
Macron i cilësoi kërcënimet tarifore amerikane si të papranueshme dhe jashtë çdo konteksti diplomatik normal. Ai paralajmëroi se, nëse këto masa konfirmohen, vendet evropiane do të reagojnë në mënyrë të unifikuar dhe të koordinuar, duke mbrojtur sovranitetin evropian.
Deklarata e Macron vjen në një klimë gjithnjë e më të tensionuar mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve evropiane, ndërsa çështja e Groenlandës po shndërrohet në një test serioz për marrëdhëniet transatlantike dhe unitetin e Evropës përballë presioneve politike dhe ekonomike nga Shtetet e Bashkuara.
