
Debat për afatet e shqyrtimit, SPAK kërkon vendimmarrje brenda pak ditësh
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka marrë vendimin që anëtarët e tij të pajisen me USB-në që përmban provat për dosjen Balluku. Vendimi u mor gjatë mbledhjes ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes dhe zv kryeministres Belinda Balluku, pas debateve të zhvilluara mes palëve mbi administrimin e materialeve hetimore.
Me këtë vendim, anëtarët e Këshillit do të kenë mundësi të njihen më në detaje me provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme përpara se të shprehen me votë mbi kërkesën për autorizimin e arrestimit.
Ndërkohë, ka përplasje edhe për datën e mbledhjes së radhës. Partia Demokratike ka kërkuar që seanca të zhvillohet më 22 dhjetor, ndërsa Partia Socialiste ka propozuar shtyrjen e saj për në muajin janar. Në anën tjetër, SPAK ka insistuar që mbledhja të mbahet brenda një afati sa më të shkurtër, nga tre deri në pesë ditët në vijim.
Avokati i Belinda Ballukut ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me dosjen hetimore, një kërkesë që është mbështetur nga përfaqësuesit socialistë. Kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, nuk ka caktuar një afat konkret për përgatitjen e mbrojtjes, por prokurorët kanë theksuar se zvarritjet nuk duhet të pengojnë procesin.
Gjatë diskutimeve, deputeti demokrat Gent Strazimiri ka ngritur shqetësime për zgjatjen e hetimeve dhe ka akuzuar Ballukun për mungesë bashkëpunimi me drejtësinë. Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, ka kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se një afat prej tre deri në pesë ditësh për njohjen me provat është i mjaftueshëm dhe i arsyeshëm.
Aktualisht, data e mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit mbetet ende e paqartë, ndërsa debati politik dhe institucional rreth dosjes Balluku vijon të mbetet i ndezur.
