
Rusia, Kina dhe Kolumbia kërkojnë seancë emergjente, OKB flet për precedent të rrezikshëm në të drejtën ndërkombëtare
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet ditën e hënë për të diskutuar ndërhyrjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe kapjen e ish-presidentit Nicolás Maduro. Seanca emergjente është kërkuar nga Kolumbia, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, sipas burimeve diplomatike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka cilësuar ndërhyrjen amerikane si një precedent të rrezikshëm, duke theksuar shqetësimin për respektimin e Kartës së OKB-së dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Operacioni amerikan u zhvillua në orët e para të së shtunës, kur forcat e SHBA-së goditën objektiva në Caracas dhe arrestuan Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores. Presidenti amerikan Donald Tramp ka deklaruar se Uashingtoni do ta administrojë përkohësisht Venezuelën deri në një tranzicion që ai e përshkruan si të sigurt, të drejtë dhe të kontrolluar, edhe pse detajet konkrete të këtij plani mbeten të paqarta.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se Maduro, bashkëshortja e tij dhe djali i tyre janë paditur zyrtarisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut për akuza që përfshijnë komplot për narco-terrorizëm. Maduro ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në aktivitete kriminale, duke i cilësuar akuzat politike.
Nga ana tjetër, ambasadori i Venezuelës në OKB, Samuel Moncada, e ka përshkruar veprimin amerikan si një luftë koloniale që synon shkatërrimin e rendit kushtetues dhe vendosjen e një qeverie kukull për të kontrolluar burimet natyrore të vendit, përfshirë rezervat e mëdha të naftës.
Administrata Tramp e ka justifikuar ndërhyrjen duke iu referuar nenit 51 të Kartës së OKB-së, që lejon vetëmbrojtjen në rast sulmi të armatosur, ndërsa kritikët vënë në dyshim këtë interpretim dhe paralajmërojnë për pasoja të rënda në rendin ndërkombëtar.
Seanca e së hënës në Këshillin e Sigurimit pritet të jetë e tensionuar dhe mund të ketë ndikim të rëndësishëm jo vetëm për të ardhmen politike të Venezuelës, por edhe për raportet mes fuqive të mëdha dhe interpretimin e ligjit ndërkombëtar në raste ndërhyrjesh ushtarake.
