
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka shprehur mirënjohjen e tij për qëndrimin e unifikuar dhe të përgjegjshëm të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike lidhur me projektligjin e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë për “Barazinë Gjinore”.
Në një deklaratë zyrtare, Këshilli vlerëson se ky vendim pasqyron respektin për vlerat natyrore, parimet themelore të shoqërisë shqiptare dhe ndjeshmërinë ndaj traditës kulturore e fetare të vendit. Po ashtu, theksohet se dialogu dhe bashkëpunimi institucional i treguar gjatë procesit përbëjnë një shembull pozitiv të maturisë politike dhe kujdesit për të mirën e përbashkët.Këshilli shprehu mirënjohje të veçantë për ekspertët e pesë komuniteteve fetare, juristët, sociologët dhe specialistët që kontribuan në përgatitjen e raportit profesional dhe lobimin pranë institucioneve brenda dhe jashtë vendit.Një falënderim iu drejtua edhe mediave shqiptare për pasqyrimin korrekt të zhvillimeve, duke ndihmuar në informimin e drejtë të opinionit publik.
Në përfundim, Këshilli Ndërfetar rikonfirmon angazhimin për të mbështetur çdo nismë që mbron vlerat njerëzore, morale dhe shoqërore, si dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.