 
        
Ilir Rusmaili paralajmëroi se shqyrtimi i dekretit presidencial nga Gjykata Kushtetuese përbën një precedent të rrezikshëm, pasi Kushtetuta nuk i njeh këtij institucioni të drejtën për të vendosur mbi akte administrative.
Këshilltari juridik i Presidentit të Republikës, Ilir Rusmaili, ka deklaruar sot në seancën e Gjykatës Kushtetuese se dekreti i Bajram Begajt për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës është plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe mbetet i tillë. Ai argumentoi se jurisprudenca e mëparshme e Gjykatës Kushtetuese e ka cilësuar këtë kompetencë të presidentit si të qartë dhe të padiskutueshme.
Rusmaili paralajmëroi se vendimi i Gjykatës për të shqyrtuar këtë çështje mund të çojë në tejkalim të kompetencave kushtetuese. “Nëse Gjykata lejon vetes të gjykojë mbi një akt administrativ, rrezikon të hapë rrugën për ndërhyrje në kompetenca që nuk i takojnë, siç janë lejet e ndërtimit, legalizimet apo autorizimet për strehim. Kjo do të ishte një rrëshqitje e rrezikshme jashtë funksionit kushtetues të këtij institucioni,” u shpreh ai.
Duke iu drejtuar trupës gjykuese, Rusmaili theksoi se, pavarësisht debatit juridik, Gjykata do të detyrohet të marrë një vendim që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë një akt administrativ, çka bie ndesh me parimet e Kushtetutës. “Ju që i lejuat vetes të drejtën për ta shqyrtuar këtë akt, e keni të qartë se po përballeni me një kompetencë që ligjërisht nuk ju takon,” tha ai.
Në përfundim, këshilltari juridik i presidentit mbrojti qëndrimin se dekreti i Begajt është kushtetues në themel dhe se çdo interpretim ndryshe do të krijonte një precedent që minon balancat ndërmjet pushteteve dhe kufijtë institucionalë të përcaktuar nga Kushtetuta.

 
         
         
         
         
        