
Lideri i Koresë së Veriut përmendi kujtime të mira me Donald Trump, ndërsa Seuli flet për një qasje më realiste ndaj armëve bërthamore.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka deklaruar se është i gatshëm të ulet në bisedime me Shtetet e Bashkuara, vetëm nëse Uashingtoni heq dorë nga kërkesa për çarmatim bërthamor. “Nëse SHBA e lë mënjanë këtë fiksim absurd dhe pranon realitetin, atëherë nuk ka arsye të mos bisedojmë për bashkëjetesë paqësore,” -tha Kim në një fjalim para Asamblesë Popullore Supreme në Phenian.
Ai shtoi se ende ka kujtime të mira nga takimet me ish-presidentin Donald Trump, duke kujtuar samitet e zhvilluara gjatë mandatit të parë të këtij të fundit. Komentet e Kim erdhën pasi si Trump, ashtu edhe presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, shprehën muajin e kaluar gatishmëri për një takim të ri.
Megjithatë, Pheniani vazhdon të kritikojë ashpër stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes SHBA dhe Koresë së Jugut, të cilat motra e Kim-it, Kim Yo Jong, i quajti provë pushtimi të pamatur.
Nga ana e tij, presidenti Lee ka sugjeruar një strategji më pragmatike: ndalimin e zgjerimit të arsenalit bërthamor të Veriut, në vend të përpjekjeve të dështuara për ta detyruar të heqë dorë nga armët ekzistuese. Në një intervistë për BBC, ai tha se ndalimi i zhvillimit të mëtejshëm do të ishte një hap i dobishëm, pa hequr dorë nga synimi afatgjatë i çarmatosjes.
Në të njëjtën kohë, Lee pranoi se sanksionet kanë dështuar, pasi Koreja e Veriut po shton mes 15 dhe 20 koka bërthamore çdo vit. Kim Jong Un theksoi në fjalimin e tij se sanksionet vetëm e kanë bërë vendin më të fortë e më të qëndrueshëm, duke shtuar se nuk do të ketë kurrë negociata të kushtëzuara me heqjen e tyre.
Ndërkohë, Pheniani ka rritur bashkëpunimin me Pekinin dhe Moskën. Në fillim të shtatorit, Kim u shfaq në Pekin përkrah Xi Jinping dhe Vladimir Putin në një paradë ushtarake, duke shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Këto sinjale të reja vijnë në një kohë kur Instituti SIPRI paralajmëron për rrezikun e një gare të re armatimesh mes nëntë fuqive bërthamore, përfshirë SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut.