

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka urdhëruar zyrtarët më të lartë të vendit të përshpejtojnë zhvillimin e armëve bërthamore, duke e cilësuar si prioritet thelbësor për sigurinë kombëtare. Në një takim me shkencëtarë bërthamorë dhe ushtarakë, ku mori pjesë edhe Hong Sung-mu, një nga figurat kyçe të programit bërthamor, Kim tha se vetëm një kundërveprim bërthamor mund të garantojë mbrojtjen e vendit.
Sipas mediave shtetërore, ai theksoi se “mburoja dhe shpata bërthamore” duhet të forcohen dhe përditësohen vazhdimisht për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e Koresë së Veriut. Ai përmendi edhe një strategji të re bërthamore, por pa dhënë detaje konkrete.
Deklaratat e tij vijnë pak ditë pasi Koreja e Jugut raportoi se veriu mund të ketë deri në dy ton uranium të pasuruar, mjaftueshëm për prodhimin e disa bombave bërthamore. Ministri i Unifikimit në Seul tha se bisedimet me SHBA mund të ishin një mundësi e vetme për rifillimin e përpjekjeve për çarmatimin bërthamor, ndonëse sanksionet tashmë nuk kanë efekt.
Kim, ndërkohë, është shprehur se nuk përjashton dialogun me Uashingtonin, nëse SHBA heq dorë nga kërkesa për denuklearizim. Ai përmendi takimet e mëparshme me ish-presidentin Trump, duke thënë se nuk ka arsye për të shmangur dialogun nëse synohet bashkëjetesa paqësore. Megjithatë, ai përsëriti se Koreja e Veriut kurrë nuk do të heqë dorë nga armët bërthamore.