
Influencerja dhe biznesmenia amerikane mahniti me dy paraqitje spektakolare në festën luksoze të organizuar nga fotografi Mert Alas, ku morën pjesë dhjetëra emra të njohur të botës së modës dhe kinemasë.
Kim Kardashian ka festuar 45-vjetorin e saj në stilin që di vetëm ajo me luks, shkëlqim dhe shumë vëmendje. Mes shiut londinez, ylli i reality showt “The Kardashians” organizoi një mbrëmje madhështore në një event privat në kryeqytetin britanik, të drejtuar nga miku i saj i afërt dhe fotografi i famshëm Mert Alas.
E njohur për aftësinë për të tërhequr çdo sy, Kim u shfaq me dy veshje të ndryshme gjatë mbrëmjes. Fillimisht ajo mbante një fustan me korse transparente dhe fund mëndafshi që theksonte linjat e saj, ndërsa më vonë veshi një minifustan me detaje të qëndisura dhe një bralette të zbuluar, duke kombinuar elegancën me guximin estetik.

Në festë morën pjesë shumë emra të njohur të skenës ndërkombëtare, si John Galliano, Kate Moss, FKA Twigs, Stella Maxwell, Naomi Watts, Sarah Paulson, Isla Fisher dhe vetë nëna e saj, Kris Jenner.
Fotot e publikuara në rrjete sociale tregojnë atmosferën e gjallë të mbrëmjes, me muzikë, drita dhe elegancë në çdo detaj, ndërsa Kim shihej e qeshur dhe e relaksuar mes miqve të saj.
Përkundër motit me shi, ajo i qëndroi besnike stilit të saj glamur, duke zgjedhur tualet me tone të buta dhe flokë gërshet, ndërsa lëvizte nën çadrat e ndihmësve për t’u futur në makinën luksoze që e priste jashtë lokalit.
Vetëm pak ditë më parë, Kim kishte festuar edhe në Paris me një tjetër event për premierën e serialit të saj të ri “All’s Fair”, ku kishte zgjedhur një fustan ngjyrë blu me prerje të thellë në pjesën e përparme.
Me një kombinim të modës, elegancës dhe ekspozimit të kuruar deri në detaj, 45-vjetori i Kim Kardashian u kthye në një tjetër shfaqje mediatike që dëshmon se ajo mbetet një nga figurat më të komentuara dhe më të ndjekura të showbizit botëror.