
Pekini e quan ndërhyrjen amerikane shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëron për pasoja të rënda globale
Kriza në Venezuelë ka marrë përmasa edhe më të mëdha ndërkombëtare, pasi Kina ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara. Ministria e Jashtme kineze ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Maduros dhe bashkëshortes së tij, duke dënuar atë që e cilëson si përpjekje për rrëzim të qeverisë legjitime në Caracas.
Në një deklaratë zyrtare, Pekini i bëri thirrje SHBA-së të garantojë sigurinë personale të Maduros dhe të ndalë çdo veprim që synon ndryshimin e regjimit në Venezuelë. Autoritetet kineze theksuan se ndërhyrja amerikane përbën një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimit të sovranitetit shtetëror.
Reagimi i Kinës vjen në një moment kur tensionet janë rritur ndjeshëm edhe pas deklaratave të Donald Tramp, i cili ka paralajmëruar se Uashingtoni është gati të ndërmarrë edhe një sulm të dytë në Venezuelë nëse do të jetë e nevojshme. Tramp ka deklaruar se operacioni i parë ishte aq i suksesshëm, sa nuk pati nevojë për një valë të dytë goditjesh.
Ndërkohë, Maduro është transferuar në burgun federal të Brooklyn, Metropolitan Detention Center, pas mbërritjes së tij në Nju Jork. Paralelisht, Gjykata e Lartë e Venezuelës ka urdhëruar që zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez të marrë përkohësisht drejtimin e vendit, pa e shpallur zyrtarisht mungesën përfundimtare të Maduros nga posti, çka do të kërkonte zgjedhje brenda 30 ditëve.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, operacioni amerikan për kapjen e Maduro-s ka qenë i paprecedentë dhe ka shkaktuar viktima mes civilëve dhe forcave të sigurisë në Venezuelë. Në këtë klimë të tensionuar, Kina i është bashkuar Rusisë në dënimin e fortë të veprimeve të SHBA-së, duke rritur frikën për një përplasje më të gjerë gjeopolitike dhe pasoja të paparashikueshme në skenën globale.
