
Pekini flet për shkelje të parimit të një Kine të vetme, ndërsa Uashingtoni synon rikthimin e industrisë së çipeve në SHBA
Kina ka reaguar me tone të forta pas nënshkrimit të një marrëveshjeje historike tregtare mes Shtetet e Bashkuara dhe Tajvanit, duke deklaruar se e kundërshton në mënyrë kategorike çdo pakt që përfshin Tajvanin si entitet të veçantë.
Ministria e Jashtme kineze theksoi se Pekini e refuzon çdo marrëveshje të nënshkruar mes vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën dhe asaj që ajo e konsideron rajon të saj, duke i bërë thirrje Uashingtonit të respektojë parimin e një Kine të vetme. Kina vijon ta konsiderojë Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk përjashton përdorimin e forcës për ta vënë nën kontroll.
Marrëveshja e nënshkruar nga administrata e Donald Trump parashikon uljen e tarifave për mallrat tajvaneze nga 20 në 15 për qind, si dhe rritjen e investimeve të Tajvanit në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në sektorin strategjik të gjysmëpërçuesve. Departamenti Amerikan i Tregtisë e cilësoi marrëveshjen si një hap kyç për rikthimin e prodhimit të çipeve në territorin amerikan dhe forcimin e vetë-mjaftueshmërisë teknologjike.
Nga ana e tij, Tajvani e ka përshëndetur marrëveshjen si një sukses të madh diplomatik dhe ekonomik. Kryeministri tajvanez Cho Jung-tai deklaroi se vendi i tij synon të mbetet prodhuesi më i rëndësishëm global i çipeve për inteligjencën artificiale, duke e cilësuar marrëveshjen me SHBA-në si rezultat të negociatave të vështira dhe të fituara me mund.
Sipas zyrtarëve amerikanë, kompanitë tajvaneze që investojnë në SHBA do të favorizohen në politikat e ardhshme doganore për gjysmëpërçuesit. Gjigandi i çipeve TSMC pritet të zgjerojë më tej praninë e tij në Arizona, në kuadër të kësaj marrëveshjeje.
Reagimi i ashpër i Pekinit thellon më tej tensionet mes Kina dhe SHBA-së, në një moment kur rivaliteti teknologjik dhe ekonomik mes dy fuqive të mëdha po intensifikohet. Marrëveshja SHBA–Tajvan shihet nga analistët si një hap strategjik i Uashingtonit për të reduktuar varësinë nga Kina dhe për të riformatuar zinxhirët globalë të furnizimit në sektorin e teknologjisë së avancuar.
