
Zbulimi i ri e afron Pekinin me projektin për bazën kërkimore hënore deri në vitin 2035, ndërsa konkurrenca në hapësirë intensifikohet
Kina ka bërë një hap tjetër drejt ambicies për të ndërtuar bazën e parë në Hënë, pasi grupi i parë i tullave eksperimentale të krijuara nga dheu hënor u rikthye me sukses në Tokë. Mostrat që u vendosën në kushte të ashpra të hapësirës, u testuan si pjesë e programeve të stacionit hapësinor kinez.
Sipas shkencëtarëve, këto tulla kanë rezistuar goditjeve të mikro-meteoriteve dhe mbetjeve hapësinore, duke ofruar pritshmëri pozitive për ndërtimet e ardhshme në sipërfaqen hënore. Tullat, secila rreth 100 gram, përbëhen nga rigoliti hënor dhe u kthyen në Tokë me misionin Shenzhou-21 javën e kaluar.
Studiuesit shprehen se këto mostrat do të ndihmojnë për të parashikuar mënyrën si materiali degradohet pas 5, 10 apo 20 vitesh në Hënë, duke e afruar ndjeshëm projektin kinez të njohur si Guanghan Palace me realitetin. Profesori i asociuar Zhou Yan deklaroi se mostrat u kthyen në gjendje shumë të mirë, pa dëmtime strukturore, ndërsa ndryshimi i ngjyrës kërkon analiza të mëtejshme.
Përdorimi i materialeve vendore si dheu hënor, energjia diellore dhe mineralet sipërfaqësore konsiderohet thelbësor për të ulur kostot e ndërtimit të bazave të ardhshme. Ky zhvillim vjen teksa gara hapësinore me programin amerikan Artemis II po intensifikohet dhe Pekini synon të ulë astronautët e parë kinezë në Hënë deri në vitin 2030.
Kina paralelisht po përgatit themelet për Stacionin Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore, që synon të jetë funksional deri në vitin 2035.
