
Analistët paralajmërojnë se ofensiva tregtare kineze po godet rëndë prodhuesit evropianë, ndërsa politika vazhdon të debatojë mbi taksat dhe pasurinë
Një debat i ri është hapur në Francë mbi ndikimin ekonomik të Kinës në tregjet evropiane, veçanërisht përmes platformës së njohur të veshjeve Shein, e cila po zgjerohet me shpejtësi në të gjithë kontinentin. Sipas analistëve ekonomikë, ndërkohë që politika në Paris vazhdon të fokusohet tek diskutimet mbi taksimin e pasurisë dhe biznesit, kriza e vërtetë po zhvillohet në industri, ku prodhuesit evropianë po përballen me një konkurrencë të paprecedentë nga produktet e lira kineze.
Shein, e krijuar në Kinë, ka arritur të përmbysë logjikën tradicionale të tregtisë, duke ofruar çmime shumë më të ulëta dhe koleksione të reja pothuajse çdo ditë, falë një modeli agresiv prodhimi dhe shpërndarjeje. Ky ritëm dhe kosto e ulët prodhimi po dëmtojnë industrinë e modës dhe të tekstileve në Evropë, ku shumë kompani po detyrohen të ulin prodhimin ose të reduktojnë stafin për të mbijetuar.
Ndërkohë, në skenën politike franceze po vijon një debat i fortë mbi taksimin e korporatave dhe individëve të pasur, dukë krijuar një kontrast të theksuar me nevojën e mbrojtjes së prodhimit vendas. Ndërsa disa deputetë kërkojnë rritje të tatimeve, ekspertë të ekonomisë paralajmërojnë se strategjitë e tilla mund të dobësojnë më tej konkurrueshmërinë e kompanive evropiane, të cilat tashmë po luftojnë përballë ofertës agresive kineze.
Sipas tyre, çështja qëndron jo vetëm tek çmimi i ulët, por tek një model ekonomik që përdor shkallë masive prodhimi dhe strategji të targetimit digjital shumë të avancuara, duke kapur sidomos konsumatorët e rinj.
Në këtë sfond, apeli kryesor i analistëve është i qartë: mbrojta e industrisë evropiane kërkon masa të koordinuara, përfshirë rregulla tregtare më të forta, mbështetje financiare për prodhimtarinë dhe strategji kundër konkurrencës së pandershme nga tregjet ndërkombëtare.
Debati mbetet i hapur, ndërsa ndikimi ekonomik i Shein dhe gjigantëve të tjerë kinezë vazhdon të rritet në mënyrë të pandalshme.
