
Pavarësisht presionit amerikan, Pekini thyen rekorde globale duke diversifikuar tregjet dhe rritur eksportet drejt Azisë, Afrikës dhe Europës
Kina ka shënuar një rekord historik ekonomik në vitin 2025, duke arritur për herë të parë një suficit tregtar prej 1.2 trilionë dollarësh, në një sfidë të hapur ndaj tarifave dhe politikave proteksioniste të administratës së Donald Tramp.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara këtë të mërkurë, suficiti tregtar i Kinës arriti në 1.189 trilionë dollarë, një shifër që barazohet pothuajse me Prodhimin e Brendshëm Bruto të një ekonomie të madhe globale si Arabia Saudite. Rritja e eksporteve arriti në 6.6% në baza vjetore, shumë mbi pritshmëritë e ekonomistëve, ndërsa importet shënuan gjithashtu rritje të fortë në fund të vitit.
Vëllimi total i tregtisë kineze për vitin 2025 arriti një nivel rekord prej 45.47 trilionë juanësh, duke konfirmuar rezistencën e ekonomisë së dytë më të madhe në botë përballë tensioneve gjeopolitike dhe tarifave amerikane.
Një nga faktorët kryesorë të këtij suksesi është zhvendosja strategjike e Kinës larg tregut amerikan. Eksportet drejt Shtetet e Bashkuara ranë me 20% gjatë vitit 2025, por kjo rënie u kompensua nga rritja e fortë e tregtisë me rajone të tjera. Blloku i ASEAN u shndërrua në partnerin më të madh tregtar të Kinës, me rritje të eksporteve prej 13.4 %, ndërsa eksportet drejt Afrikës u rritën me 25.8 % dhe ato drejt Bashkimit Europian me 8.%.
Autoritetet kineze theksojnë se kjo diversifikim ka rritur ndjeshëm aftësinë e vendit për të përballuar rreziqet globale. Një rol kyç në këtë qëndrueshmëri kanë luajtur edhe eksportet strategjike, si metalet e rralla, produktet e teknologjisë së lartë, si dhe sektori i energjisë së gjelbër.
Eksportet e automjeteve elektrike, baterive litium-jon dhe paneleve diellore u rritën me 27 %, ndërsa dërgesat e gjeneratorëve të energjisë së erës shënuan një rritje mbresëlënëse prej 49%. Këto produkte po e kthejnë Kinën në një aktor dominues në zinxhirët globalë të teknologjisë dhe energjisë.
Megjithatë, pavarësisht shifrave rekord, Kina vijon të përballet me sfida të brendshme industriale dhe kërkesë të dobët të brendshme. Analistët vërejnë se rritja e fortë e eksporteve po shërben si mburojë për të zbutur këto probleme.
Ndërkohë, tensionet pritet të rriten sërish në vitin 2026, pasi Trump ka paralajmëruar tarifa të reja prej 25% ndaj vendeve që tregtojnë me Iranin, një masë që prek drejtpërdrejt Kinën, si partneri më i madh tregtar i Teheranit. Faktorët politikë dhe tarifat amerikane mbeten kështu një rrezik i vazhdueshëm për marrëdhëniet tregtare mes dy superfuqive ekonomike.
