
Deputeti i PD flet për pakënaqësi në rritje, pabarazi sociale dhe akuza të forta ndaj qeverisë
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te protesta e paralajmëruar për të hënën dhe mobilizimi i strukturave të opozitës në të gjithë vendin. I ftuar në emisionin Kjo Javë, Balliu deklaroi se PD është e gatshme për një përballje politike që, sipas tij, është e diktuar nga realiteti i rëndë social dhe ekonomik.
Sipas Balliut, pakënaqësia qytetare është në rritje të vazhdueshme, veçanërisht mes të rinjve, të cilët sot nuk arrijnë të blejnë një banesë. Në këtë kontekst, ai solli si shembull kontrastin me zv/kryeministren Belinda Balluku, për të cilën tha se disponon rreth 300 apartamente, duke e cilësuar këtë si simbol të pabarazisë dhe abuzimit me pushtetin.
Deputeti demokrat akuzoi qeverinë për kapje të shtetit dhe përdorim të institucioneve për presion ndaj biznesit. Ai përmendi rastin e një biznesmeni që, sipas tij, është ndaluar nga policia dhe është dërguar te Ergys Agasi për t’u shantazhuar. Duke iu referuar hetimeve ndaj Agasit, Balliu deklaroi se në banesën e tij janë gjetur shishe vere me vlerë rreth 3 milionë euro, një fakt që sipas tij ka kaluar pothuajse pa vëmendje në opinionin publik.
Ai shtoi se ekzistojnë standarde të dyfishta dhe frikë për të folur, duke theksuar se ndërkohë që ka pafund emisione me biznesmenë në media, askush nuk ka folur seriozisht për një pasuri të tillë luksi.
Në lidhje me protestat, Balliu tha se qytetarët janë të gatshëm për një reagim masiv dhe paralajmëroi se protesta në Bulevard do të jetë më e madhe se ajo e zhvilluar më herët në Astir. Sipas tij, zona e Astirit është lënë prej vitesh në harresë, duke u shndërruar në një geto urbane, ndërsa premtimi për ndërtimin e një shkolle ka mbetur i pambajtur për më shumë se 12 vite.
Ai theksoi se çdo fushatë zgjedhore shoqërohet me lëvizje simbolike makinerish që më pas largohen, duke e cilësuar këtë si tallje me qytetarët. Sipas Balliut, protesta e së hënës do të jetë përgjigjja e drejtpërdrejtë e shqiptarëve ndaj kësaj situate.
