
Përfaqësues të koalicionit dorëzojnë sot kërkesën zyrtare pranë Presidencës, duke argumentuar se ligji cenon vlerat familjare dhe kërkon rishikim.
Sot në orën 11:00, përfaqësues të Koalicionit Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës do të zhvillojnë një tubim përpara Institucionit të Presidentit, ku do të dorëzojnë kërkesën për mosdekretimin e ligjit për Barazinë Gjinore. Sipas tyre, ligji i miratuar së fundmi duhet të rishikohet, pasi prek drejtpërdrejt strukturën dhe rolin tradicional të familjes në shoqëri.
Pas dorëzimit të kërkesës, përfaqësuesit e koalicionit do të dalin në një deklarim për median, ku pritet të paraqesin arsyet kryesore të kundërshtimit dhe hapat që do të ndërmerren më tej në kuadër të nismës.
Koalicioni ka bërë thirrje për mbështetje publike, duke theksuar se ky moment konsiderohet një fazë e rëndësishme në debatin për ruajtjen e familjes dhe vlerave shoqërore. Aktiviteti do të zhvillohet në hapësirën përballë Presidencës, në bulevardin qendror të kryeqytetit.
