
Dy legjendat e kinemasë amerikane shfaqen sërish bashkë pas shumë vitesh, në një fushatë që kthehet në homazh për miqësinë dhe artin që sfidojnë dekadat.
Robert De Niro dhe Al Pacino, dy nga figurat më të mëdha të historisë së filmit, janë ribashkuar pas një kohe të gjatë për një set fotografik që ka ngjallur nostalgji te publiku. Fushata e re e markës “Moncler” i sjell dy ikonat përpara objektivit të fotografit Platon, me një estetikë bardh e zi që përzien elegancën dhe kalimin e kohës.
Në imazhet e shpërndara nga De Niro, dy miqtë e vjetër shihen të buzëqeshur, të veshur me xhaketa të zeza nga koleksioni, duke përcjellë një energji të qetë dhe fisnike. Krahas fotos, De Niro shkroi: “Unë dhe shoku im më i mirë.”
Dyshja legjendare, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kinemanë botërore me filma si “The Godfather Part II”, “Heat”, “Righteous Kill” dhe “The Irishman”, dëshmon se koha mund të ndryshojë gjithçka – por jo lidhjet e vërteta dhe respektin që lind nga arti dhe se gjithashtu, ajo nuk i kursen as yjet e Hollivudit.