
Trafik ndërkombëtar droge, 11 të dyshuar drejt gjykimit pas sekuestrimit të 485 kg kokainë në Fier
SPAK ka përfunduar zyrtarisht hetimet për një grup kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, duke përdorur metoda të sofistikuara për fshehjen e lëndës narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme ka nisur komunikimin e mbylljes së hetimeve për personat e arrestuar në nëntor të vitit 2024, pas një hetimi të drejtuar nga prokurori Adnan Xholi. Të dyshuarit akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në një rrjet të strukturuar kriminal për trafik droge në sasi të mëdha.
Në listën e personave nën hetim janë shtetasit Geis Gejsullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurrahmani, Baki Huqi, si dhe tre shtetas të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian.
Hetimet nisën pas një indicieje për ekzistencën e një laboratori droge në Frakull të Fierit. Gjatë kontrolleve, policia zbuloi pranë banesës së ish-funksionarit vendor Viktor Çervanaku një sasi të madhe lënde narkotike, rreth 485 kilogramë kokainë, të fshehur në mbetje dhe plehra kimikë.
Gjatë thellimit të hetimit, SPAK vendosi të ndajë çështjen në fraksione, duke zbuluar gjurmët e një grupi tjetër kriminal që sillte kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, të maskuar brenda lëkurës së kafshëve, një metodë e rrallë dhe e vështirë për t’u zbuluar në kontrollet doganore.
Sipas organit të akuzës, kjo skemë tregon nivel të lartë organizimi dhe bashkëpunim me shtetas të huaj, ndërsa mbyllja e hetimeve hap rrugën për dërgimin e çështjes në gjykatë dhe nisjen e procesit gjyqësor ndaj të dyshuarve.
SPAK thekson se lufta kundër trafikut ndërkombëtar të drogës mbetet prioritet dhe se hetimet për rrjete të tjera të ngjashme vijojnë paralelisht.
