Kolegji i Posaçëm i Apelit (KPA) ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Mirela Zavalani, duke konstatuar “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cenim të besimit të publikut”.Vendimi rrëzoi atë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), që në qershor e kishte konfirmuar në detyrë. Gjatë procesit të vetingut u zbuluan kontradikta dhe burime të paqarta në pasuritë e bashkëshortit dhe familjarëve të saj, përfshirë të ardhura nga prona, biznese e qira.Por historia e Zavalanit mori vëmendje publike pak ditë më parë, kur një prokuror anonim denoncoi përmes JOQ kontrastin e madh brenda vetë sistemit të drejtësisë. Ai përmendi konkretisht vajzën e prokurores, Anxhela Zavalanin, e cila shfaqej në video në TikTok me aksesorë luksi Cartier, duke simbolizuar një realitet shumë larg atij të kolegëve që jetojnë me dy paga.Denoncimi nuk ishte pjesë zyrtare e procesit të vetingut, por u bë reflektim i një ndjenje të përhapur: se besimi publik në drejtësi nuk humbet vetëm për shkak të bilanceve të paqarta, por edhe për shkak të arrogancës së luksit që shfaqet në sytë e publikut.Me këtë vendim, KPA mbyll një kapitull të gjatë për një prokurore që, për një pjesë të opinionit, mishëronte pikërisht hendekun mes “drejtësisë me pagë” dhe “drejtësisë me Cartier”.
