
Emigranti nga Gjermania dhe babai i tij 80-vjeçar përfundojnë të dhunuar pas një komenti në rrjetet sociale, familja kërkon drejtësi
Një ngjarje e rëndë dhune është shënuar mbrëmjen e kaluar në Fier, ku një emigrant shqiptar dhe babai i tij i moshuar janë sulmuar brutalisht pas një komenti në Facebook.
Altin Meçaj, banues në fshatin Vjosë të njësisë administrative Cakran dhe emigrant në Gjermani, është dhunuar rreth orës 23:00, pasi kishte komentuar në rrjetet sociale një bashkëfshatare, e cila sipas tij është motra e një punonjësi policie në Komisariatin e Fierit.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ka ndodhur papritur dhe me një dhunë të jashtëzakonshme. Meçaj tregon se është goditur rëndë, ndërsa ka mbetur për një kohë pa ndjenja. Në ndihmë i ka ardhur babai i tij, Ylli Meçaj, 80 vjeç, i cili gjithashtu është dhunuar rëndë.
I moshuari rrëfen se e ka gjetur të birin të shtrirë në tokë, të mbuluar me gjak dhe pa ndjenja, ndërsa edhe vetë ka pësuar lëndime serioze gjatë përpjekjes për ta ndihmuar.
Familja Meçaj thekson se nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm me persona të tjerë në zonë dhe se ngjarja ka ardhur vetëm pas komentit në rrjetet sociale. Ata shprehen të tronditur dhe kërkojnë që drejtësia të veprojë pa dallime, duke hetuar deri në fund këtë rast të rëndë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe shqetësim në komunitetin lokal, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga strukturat përkatëse lidhur me akuzat ndaj punonjësit të policisë.
