Në strukturën e re të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore përfshihen edhe partitë e Adriatik Lapajt dhe Arlind Qorit, por roli i tyre mbetet vetëm këshillues: mund të bëjnë propozime, nuk mund të votojnë.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë do të ketë një përbërje të zgjeruar, duke përfshirë jo vetëm Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, por edhe forcat e reja politike që kanë hyrë në Parlament me nga një deputet.
Pas marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës për të pasur barazi votash, është rënë dakord që në tryezë të ulen edhe përfaqësues të Shqipëria Bëhet të Adriatik Lapajt dhe Lëvizja Bashkë të Arlind Qorit. Këto dy forca politike kanë fituar prezencë parlamentare në zgjedhje, por nuk kanë grup parlamentar.
Sipas dokumentit zyrtar të dakordësuar mes palëve, përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, do të kenë të drejtë të paraqesin propozime dhe amendamente, por nuk do të kenë të drejtë vote në momentin kur merren vendimet.
Partia Shqipëria Bëhet do të përfaqësohet nga deputetja Ana Dajko, ndërsa Lëvizja Bashkë nga deputeti Redi Muçi. Të dy mund të jenë fizikisht në tryezë, të flasin dhe të shtyjnë për ndryshime konkrete në Kodin Zgjedhor, por nuk do të mund të ndikojnë në rezultatin final përmes votimit.
Komisioni do të ketë 16 anëtarë me të drejtë vote. Nga këta, 7 vende i takojnë Partisë Demokratike, ku përfshihen edhe një përfaqësues i Partisë së Lirisë dhe një i Partisë Republikane, dhe 7 vende Partisë Socialiste. Për të ruajtur ekuilibrin, PD i ka lënë një karrige deputetit Agron Shehaj, ndërsa PS i ka krijuar hapësirë deputetit të PSD-së së Tom Doshit.
Me këtë formulë, partitë e vogla futen zyrtarisht në procesin e reformës zgjedhore, por jo në vendimmarrje. Praktikisht, mazhoranca dhe opozita e madhe mbajnë kontrollin mbi votat, ndërsa forcat e reja përfshihen si zë politik, por jo si faktor numerik.
Ky është një nga rrallët raste ku tryeza e reformës zgjedhore hapet për aktorë jashtë dy blloqeve kryesore, por kufizohet roli i tyre për të mos prishur balancat mes PS dhe PD. Tani mbetet të shihet nëse propozimet që do të vijnë nga forcat e reja politike do të reflektohen realisht në draftin final apo do të mbeten thjesht pjesë e debatit publik.
